Mala: Kam ndjenja për të dyja Kombëtaret, jam mes Shqipërisë dhe Kosovës

Një nga emrat që po spikatin këto javë të para të vitit 2018 është padyshim mesfushori i talentuar Esat Mala. Futbollisti ishte edhe sot titullar në sfidën që të kuqtë fituan 1-0 përballë Flamurtarit. I ftuar në “Rubrikën Sportive”, ai dha mendimet e tij për suksesin e sotëm.

Për fitoren e sotme

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Fusha u pa si ishte, shumë e vështirë të luanim lojën tonë, por ia dolëm e morëm tre pikët. Në pjesën e parë bëmë volum loje shumë të mirë, na mungoi finalizimi, kishim rastet tona. Bëmë ndryshim dhe erdhi goli i Çanit, atij i duhej shumë, shënoi një gol të bukur, na dha frymëmarrjen për më tej”.

Për ‘revanshin’ ndaj Flamurtarit

“Faktikisht ishte fitorja e parë, por na shijoi shumë se na ka mbetur peng nga ndeshjet e mëparshme, e shijuam fitoren”.

Për ndryshimin e trajnerëve

“Djemtë janë ndjerë shumë mirë, është thuajse i njëjti Partizan me një frymë të re dhe pak më shumë liri”.

Partizani

“Te Partizani kam arritur nëpërmjet menaxherit tim, teksa faktikisht më kërkuan të isha pjesë e këtij ekipi. U afrova në qershor, por nuk arrita të isha pjesë e ekipit. U stërvita deri në dhjetor dhe tashmë jam i lumtur që jam duke kaluar një moment të mirë me Partizanin. Mendoj se kam justifikuar besimin e trajnerit si në rastin e Starovës dhe Dalipit”.

Kombëtarja

“Kam qenë pjesë e Shqipërisë U-16 dhe më pas nuk kam pasur ndonjë kontakt. Kam ndjenja për të dy Kombëtaret, edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, nuk mund të vendos kaq shpejtë se për kë do të vazhdojë në të ardhmen”. /vipsport.al/