Kostakurta sheh De Biazin te stoli i Italisë: Mund ta drejtojë ai!

Dukej gjithçka e përfunduar, Xhani De Biazi e shihte si të kaluar “trenin” që të çonte në stolin e pankinës së Italisë me ngjarjen e vitit 2016, kur Tavekio zgjodhi Xhiampiero Venturën para tij për stolin e të kaltërve. Por një deklaratë e Alesandro Kostakurtës, personit të caktuar nga Federata Italiane për të zgjedhur teknikun e ri të Italisë, rihap çdo skenar të mundshëm për ish-trajnerin e Shqipërisë.

Si Kostakurta, ashtu edhe De Biazi, pak ditë më parë ishin të ftuar në një emision televiziv sportiv. Ish-mbrojtësi i Milanit u pyet për emrat që po shqyrtonte për Kombëtaren si Ançeloti, Konte, Ranieri, Mançini apo Di Biaxhio. Por ai çuditi të gjithë duke zbuluar kandidaturën e re për përfaqësuesen.

“Edhe në këtë tavolinë ka një emër që mund të drejtojë Italinë”, tha ai duke iu drejtuar De Biazit, “kemi një grup trajnerësh të mirë. Por emrin e ri do ta mësoni brenda prillit dhe majit”, theksoi Kostakurta.

Kjo situatë kthen plotësisht “në lojë” De Biazin, i cili gjithsesi do të jetë pranë përfaqësueses italiane, por me një rol tjetër në miqësoret e muajit mars. Ai do të jetë komentatori teknik i rrjetit televiziv RAI gjatë transmetimit të dy miqësoreve që Italia do të luajë në ditët e ardhshme ndaj Argjentinës dhe Anglisë. /vipsport.al/