Idrizi: Nuk kanë ndikuar vetëm arbitrat, duhet të merren edhe përgjegjësitë

Flamurtari ndodhet në momentin më të vështirë të këtij sezoni, teksa pasi shihej si ekipi rivalizues i Skënderbeut, tashmë renditet në vendin e 5-të.

Në një prononcim për “Supersport”, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi shprehet se këto rezultate negative nuk kanë ardhur vetëm nga gabimet e arbitrave, por edhe nga mosmarrja e përgjegjësive.

“E mira është relative. Disa gjëra janë bërë mirë dhe të tjera mund të përmirësoheshin. Megjithatë do të vazhdojmë të luajmë në mënyrën tonë.

Flamurtari nuk bëhet pengesë për shkaqe ekonomike për arritjen e objektivave të tij. Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në formën e Flamurtarit, duke filluar nga arbitrimi deri te gjendja e futbollistëve dhe mosmarrjen e përgjegjësive.

Përgjigjësia duhet të merret nga i gjithë klubi. Ashtu si i marrim për lëvdatat, ashtu duhet të marrim edhe përgjegjësitë në dështim. Unë nuk jam marrë me merkaton e skuadrës, por vetëm me pjesën financuese.

Ky Flamurtar është më i miri i kohës time, megjithëse e mira nuk ka fund. Megjithatë ajo që dua të përsëris është marrja e përgjegjësive”, është shprehur Sinan Idrizi. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/