Empoli i Veselit, tjetër hap drejt Serisë A. Buzëqeshin ekipet e shqiptarëve

Frederik Veseli do të luajë në sezonin e ardhshëm në Serinë A. Për këtë duken të gjithë të sigurt, pasi Empoli i tij nuk njeh kundërshtarë. Edhe në ndeshjen ku mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi mungoi, atë ndaj Venecias, skuadra e tij fitoi me rezultatin 3-2, duke ruajtur diferencën prej 3 pikësh me Frosinonen që e ndjek.

Vetëm barazim pa gola në fushën e Çitadelës sot për Barin e Migjen Bashës, si zakonisht titullar dhe një nga mungesat surprizë në listën e Panuçit duke llogaritur se ka qenë ndër futbollistët që ka luajtur më rregullisht në klubin e tij. Ekipi i Barit gjithsesi mbetet në zonë e play-off për pjesëmarrjen në Serinë A,. ndaj edhe Basha shpreson t’i bashkohet Veselit në elitën e futbollit italian vitin tjetër.

Sa i përket Entellës së Alijit e Llullakut, i pari ishte titullar ndërsa i dyti ndoqi nga pankina fitoren 2-0 të skuadrës së tij përballë Parmës që e largon nga zona e rënies direkte, por duke mbetur përsëri e rrezikuar për play-off.  /vipsport.al/