E dënoi ndaj Kukësit, Vllaznia kërkesë FSHF-së: Nuk e duam më Hamitin!

Vllaznia reagon për gjykimin në takimin e sotëm ndaj Kukësit. Ekipi shkodran humbi 2-0, por klubi kuqeblu bën fajtor arbitrin Eldorian Hamiti.

Vllaznia, përmes këtij reagimi ka kërkuar ndër të tjera nga FSHF që Eldorian Hamiti të mos gjykojë më ndeshjet e shkodranëve.

REAGIMI- “KF Vllaznia është i detyruar të reagojë pas arbitrimit të vërejtur sot në ndeshjen Kukësi- Vllaznia, në rezultatin e së cilës mendojmë se ka patur ndikim edhe arbitrimi. Tentativat e arbitrit kryesor që në minutat e para për të ndëshkuar lojtarët tanë me kartona të verdhë, akordimi i faullave afër zonës sonë për të favorizuar kundërshtarin (nga një faull erdhi goli i parë i vendasve) apo dhe rasti më fatal i mosakordimit të një 11-metërshi mëse të pastër, janë fakte të mjaftueshme për pretendimet tona. Pa lënë mënjanë edhe ndëshkimin me 7 kartona për të na dëmtuar ne dhe padyshim për të favorizuar në mënyrë indirekte kundërshtarët tanë në garë. Pikërisht, nisur nga këto raste, mendojmë se rezultati i ndeshjes do të ishte ndryshe.

Në këto rrethana, dënojmë ashpër një sjellje të tij në fushë të këtij arbitri.

Kampionati po shkon gradualisht drejt fundit dhe gara sa vjen e bëhet më e vështirë prandaj kurrsesi arbitrat nuk duhet të vendosin fatet e ndeshjeve siç bëri sot Eldorian Hamiti në Kukës.

KF Vllaznia kërkon garë të ndershme dhe korrekte deri në fund të kampionatit dhe besoj se ky është minimumi i asaj që mund të kërkojmë.

Përpos kesaj, KF Vllaznia kërkon nga FSHF që ky arbitër të mos e arbitrojë më në ndeshjet e ardhshme”, shkruhet në reagimin e Vllaznisë.