Cikalleshi nuk sheh rivalitet në sulmin kuqezi: Trajneri e ka më të lehtë!

Trajneri Kristian Panuçi ka shtuar numrin e sulmuesve në radhët e Kombëtares për ndeshjen ndaj Norvegjisë, duke i bashkuar Armando Sadikut dhe Sokol Cikalleshit edhe Bekim Balajn, i cili mungonte për një periudhë të gjatë mes kuqezinjve për shkak dëmtimesh. Por ky rivalitet duket se nuk shqetëson Sokol Cikalleshin, i cili është i bindur se kjo vetëm ndihmon ekipin kuqezi.

“Ky rivalitet është si për mua, edhe të tjerët. Por kemi harmoni mes nesh. Jemi të gjithë sulmues me karakteristika të ndryshme dhe kjo ia bën më të lehtë trajnerit që në bazë të skemave të gjejë sulmuesin e përshtatshëm për atë ndeshje”, shpjegoi futbollisti i përfaqësueses në një prononcim për “SuperSport”.

Ndonëse ai nuk po luan aq rregullisht sa shpresonte, Cikalleshi tregon se ka objkektiva të qartë në mendje për javët e mbetura të këtij sezoni në Turqi. “Kemi pasur vështirësi në ndeshjet e fundit, kjo është e vërtetë. Na mbeten edhe 9 ndeshje deri në mbyllje të kampionatit dhe unë kam disa objektiva personal.

Së pari dua që ekipi të ngjitet në renditje, ndërsa unë synoj të mbyll kampionatin me 12 gola të shënuar”, tha sulmuesi i cili deri tani ka gjetur rrugën e rrjetës 5 herë në kampionat dhe 2 në Kupë me ekipin e tij. /vipsport.al/