FSHF masakron Vllazninë, do ta hedhë në vitin e 100-vjetorit

Gazetari Artan Hoxha, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ka akuzuar FSHF-në se po bën maksimumin që të rrëzojë klubin e Vllaznisë. Ai ka kujtuar se ky skenar është parapërgatitur me kohë nga zyrtarët e FSHF-së dhe po vërtetohet me gabimet e gjyqtarëve, edhe pse drejtuesit e Vllaznisë votuan pro Dukës në zgjedhjet për president.

Postimi

“Më 16 shkurt 2018 klubi më i vjetër i historisë së futbollit shqiptar, KF Vllaznia mbushi 99 vite nga dita e krijimit dhe ka hyrë tashmë në 100 vjetorin e historisë së tij.

Por sot pasdite në Kukës, Vllaznia u trajtua sikur të ishte një skuadër kalimtare në Superligë nga gjykimi skandaloz.

Më shumë se humbja 2-0 sot, Vllaznia u dëmtua qëllimisht për ndeshjet e radhës. Gjyqtari Hamitaj, të cilin FSHF e kishte referuar si gjyqtar të FIFA-s, por dështoi në testimet e saj, akordoi kundër Vllaznisë 1 karton të kuq të padrejtë ndaj sulmuesit kryesor Xhevahir Sukaj, i cili nuk do luajë në ndeshjen e radhës, dhe nuk dha një 11-metërsh 100% të saktë për Vllazninë.

Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, gjyqtari akordoi në dëm të Vllaznisë 7 kartona të verdhë në vetëm 14 faulla të shkaktuara nga shkodranët.

Dhe kur të ndodhë në fund të majit si e kam paralajmëruar që në janar, se FSHF ka piketuar Vllazninë për ta rrëzuar nga kategoria (larg qoftë të më dalë parashikimi) pikërisht në vitin e 100 vjetorit të themelimit të saj, mos më thoni që ky nuk do jetë “suksesi” i radhës i Don Dukës. Gjatë mbretërimit të tij në krye të FSHF-se, Duka ia doli që të rrëzojë nga kategoria njëra pas tjetrës, skuadrat më të mëdha dhe më historike, fillimisht Flamurtarin, Besën, Partizanin, Dinamon, Elbasanin, Tiranën dhe tash sëfundi Vllazninë.

Dhe mos harroni, Duka u zgjodh për herë të parë në 2002, president i FSHF-së me ndihmën dhe mbështetjen e fortë të ish-presidentit të vrarë të Vllaznisë Myftar Çela (presidenti që nën drejtimin e tij i dha dy titujt e fundit kampion kombëtar Vllaznisë) dhe u votua për të marrë mandatin e pestë më 7 shkurt 2018, nga pronarja aktuale e Vllaznisë së Shkodrës, kryebashkiakja Voltana Ademi…

more recommended stories