Vllaznia analizon sfidën ndaj Lushnjes dhe “zotohet” për fitore ndaj Teutës

Vllaznia u rikthye te fitorja në kampionat, pasi në fundjavën që lamë pas, shkodranët mposhtën 2-0 Lushnjen. Një ndeshje që ka rritur moralin e skuadrës kuqeblu, sidomos në prag të një tjetër ndeshjeje delikate, atë kundër Teutës.

Siç njofton zyra për shtyp e Vllaznisë, para seancës së sotme stërvitore, skuadra ka zhvilluar edhe analizën e ndeshjes ndaj Lushnjes.

Pjesëmarrës ishte edhe administratori Gjyrezi, i cili ka përgëzuar futbollistët për karakterin dhe shpirtin e garës që treguan në Lushnje.

Gjyrezi ka kërkuar gjithashtu nga futbollistët e Vllaznisë, seriozitet maksimal edhe në vazhdim, sepse skuadrën e pret një sfidë edhe më e vështirë, ajo me Teutën.

Edhe vetë lojtarët kanë folur gjatë analizës, duke mos dashur të marrin merita për fitoren e fundit, sepse në fund të fundit, sipas tyre kanë bërë vetëm detyrën.

Trajneri Gjoka ka vlerësuar përkushtimin e shfaqur ndaj Lushnjës, por u ka bërë të qartë futbollistëve të tij se kundërshtari i radhës do të jetë shumë më i fortë dhe do ketë shumë herë më shumë ambicie për të marrë pikë në Shkodër. Trajneri i Vllaznisë ka ngritur edhe shqetësimin për ndonjë moment kur skuadra nuk zbatoi detyrat duke i dhënë mundësi Lushnjes të hynte në lojë, por për fat, kuqeblutë morën sërish frenat e lojës në dorë dhe arritën të fitonin.