VIDEO/ Nuk mjaftojnë koret raciste, Shkëndija nuk mposhtet ndaj Vardarit

Ndeshja mes Vardarit dhe Shkëndijës, e luajtur ditën e sotme në Shkup, në kuadër të turit çerekfinal për Kupën e Maqedonisë u mbyll me shifrat 1-1. Pavarësisht koreve dhe ofendimeve gjatë gjithë ndeshjes, Shkëndija ka arritur të tregojë edhe njëherë tjetër se nuk ndodhet rastësisht në vendin e parë në kampionatin maqedonas.

Shkëndija ka qenë më kërkuese gjatë gjithë lojës, duke rrezikuar disa herë portën e kundërshtarëve të Vardarit, por pa arritur ta gjente golin në pjesën e parë.

Me fillimin e pjesës së dytë, ka qenë Besart Ibrahimi ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 63, me një aksion model. Një kundërsulm i shpejtë nga kuqezinjtë e Shkëndijës, kanë nxjerrë në pozicion të prirët Besart Ibrahimin i cili me finesë arriti të gjente cepin e portës duke kaluar miqtë në avantazh.

Në minutë e 78, Filipe ka arritur të shndërrojë në gol një goditje dënimi, duke barazuar shifrat në 1-1.

Ky rezultat konsiderohet si pozitiv për Shkëndijën, duke qenë se më 7 mars pret në Tetovë ekipin e Vardarit, për ndeshjen e kthimit ku rezultati 1-1 i favorizon kuqezinjtë e Qatipit, të cilët do të kenë edhe mbështetjen e “Ballistëve” që nuk u lejuan të udhëtonin në këtë ndeshje.