UEFA Youth League/ Eliminohet Interi i Radës, në çerekfinale Kabashi me Barcelonën

Janë luajtur sot 2 ndeshjet e 1/8 të “UEFA Youth League”, Ligës së Kampioneve për të rinj, ku Barcelona U19 ka mundur në Paris ekipin e PSG U19, me rezultatin 0-1. Me të rinjtë e katalanasve, luan sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Labinot Kabashi. 18-vjeçari u aktivizua në minutën e 67, duke shijuar kështu kualifikimin e ekipit të tij.

I pafat ka qenë mesfushori i Shqipërisë U19, Armand Rada, pasi Interi u eliminua nga Mançester Siti, vetëm pas penalltive. Rada ka luajtur si titullar në këtë ndeshje dhe u zëvendësua në minutën e 67. Koha e rregullt u mbyll me shifrat 1-1 ku të parët në avantazh kaluan zikaltërit.

Në çerekfinalen e “UEFA Youth League”, Barcelona do të përballet me fituesin e çiftit Atletiko Madrid-Bazel. Te zvicerianët aktivizohen 6 shqiptarë, që drejtohen nga ish-futbollisti i Kombëtares, Arjan Peço. Siti do të ketë kundërshtar fituesin e çiftit Mançester Junajtid- Liverpul. /vipsport.al/