Ta gëzojmë presidentin Duka! Pa çunat e UEFA-s, s’ndodhte mrekullia

Kur burrat e futbollit nisën vrapin për të lëpirë faqet e lodhura të presidentit “supermen”, në sallën si vagon treni të Asamblesë, sepse na u kujtuan fjalët e rapsodit të futbollit që i këndonte ndërkombëtarëve të UEFA-s me vargjet:

“Moj UEFA, moj zuzare, si s’të kuptova një herë për fare”. Nga njëra anë na dënon për trukime, nga ana tjetër na ndihmon në trukimin e “ndeshjes së madhe”. Tamam si një arbitër i porositur për të devijuar lojën, njeriu nga Ukraina, ishte gjetur si me qiri, pasi kishte edhe pamjen sikur vinte nga Shoqatat. Po, po, nga ato që lindin një herë në 4 vite dhe bëjnë golin në minutën e porositur.

Ku do të  ndodhte në një vend tjetër, kur i huaji në rolin e mësuesit djallëzor, ndizet në fjalimin maratonë, sa ishte gati të merrte një fletë votimi, t’i vinte një kryq te emri Armand Duka dhe ta mbyllte: “Mos kërkoni president tjetër, sepse këtë meritoni edhe për 4 vite të tjera”.

Kur ishte Platini në fron, loja dinake e UEFA-s, krahasohej me mesfushorin që shikon nga e majta dhe pason nga e djathta. Tani, në kohën e sllovenit Ceferin, skema duket sulmuese po të besosh premtimin e tij solemn “tolerancë zero ndaj trukimeve në futboll”. Një frazë që ka vlerën e një driblimi mes shalëve te besimtarve, sidomos kur dëgjon zv.presidentin e UEFA-s, që fliste edhe më bukur se vetë Duka për ”magjinë” e kalimit ne Europian, për fushat dhe stadiumet që janë bërë dhe do bëhen, pa na treguar se me çfarë do t’i mbushim. Njeriu  i UEFA-s nxitoi per të ikur me avion, duke mbajtur premtimin e dhënë se në tokën ku trukohet loja e madhe e zgjedhjeve, as nuk ia vlen bara qeranë të flitet për trukimet “e vogla”, ato të ndeshjeve. Ato të flamosura për të cilat UEFA akoma nuk paska mbaruar punë me ne, pasi nuk donte te prishte dasmën.

Marrë nga sfidanti.al

more recommended stories