Sukaj: Nuk kemi arritur ende asgjë. Ne, të vetëm para aleancave

Xhevahir Sukaj mendon se Vllaznia nuk ka arritur ende asgjë dhe se duhet që të vazhdojë serinë e fitoreve radhazi në ndeshjet e tjera në Superiore, që të ketë qetësinë e duhur për mbijetesën. Sulmuesi shkodran, në një prononcim për mediat, ka folur edhe për tema të ndryshme si e ardhmja e tij, aleancat e kundërshtarëve apo edhe kush do të marrë drejtimin e klubit.

Për situatën te Vllaznia pas largimit nga zona e ftohtë

“Fituam dy ndeshje të rëndësishme, fituam 6 pikë shumë pozitive, por ende nuk kemi dalë në sipërfaqe. Kemi kaluar vetëm një shkallë, Teuta aty është. Kemi ndeshje të vështira, duhet t’i marrim të gjitha me radhë. Si me Lushnjën, të tilla edhe të ardhshmet se futbolli është i tillë që me një humbje shkon ku ishe dhe nuk mendoj që duhet të themi se ia kemi dalë. Nuk kemi arritur askund, të marrim disa fitore të tjera që të jemi më të qetë”.

Për kritikat ndaj tij

“Kritikat mua personalisht më bëjnë mirë. Jam nga ndeshja në ndeshje në rritje duke parë që jam në shërbim të ekipit dhe duke parë që kur ka nevojë ekipi futem në rolin e nrbojtësit, si në rastin e Teutës. Pas 2-0 isha në pozicion më shumë të mbroja se sulmi. T’ia lëmë kohës, ka ndeshje në vazhdim dhe ka kohë për gola. Futbolli nuk të lë të mbash premtime, më mirë të hyjmë të marrim maksimalisht pikët, premtimet t’ia lëmë fushës”.

Për tensionin në ekip gjatë kësaj periudhe

“Ka tension, normalisht që ka. Kjo ndeshje me Teutën ishte vendimtare, duke parë që një ndalesë favorizonte drejtpërdrejt kundërshtarin që ishte një pikë poshtë nesh. Në dy ndeshjet jashtë do vendoset përfundimisht se sa të qetë do të jemi, apo sa të shqetësuar”.

Për mbijetesën e Vllaznisë

“Ne për të shpëtuar ekipin po luajmë. Njollë më të madhe se rënia e Vllanzisë nuk mund t’i vësh vetes. Si unë, si drejtuesit, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, jemi maksimalisht të përqenduar që të mos lënë të dyshojmë që do të biem. Kemi si synim që disa javë para ta sigurojmë mbijetesën, shpresojmë t’i shërbejmë ekipit dhe ta nxjerrim nga ky lloj presioni. Këtu ka lojtarë që janë mësuar të luajnë për të shpëtuar, ka disa që kanë luajtur për trofe dhe bëhet balancim mes palëve që të dalim në konkluzionin që duhet shikuar para dhe të mos kemi frikë”.

Për aleancat e mundshme në fundin e sezonit

“Ne jemi të sigurt se ne as an favorizon, as na ndihmon kush. Jemi të vetëm, edhe më mirë kështu. Gjithmonë merr atë që të takon. Duke parë që mund të flitet për aleanca, ne po arritëm fitoret tona, nuk besoj se do të jenë problem aleancat”.

Për sfidën me Luftëtarin

“Luftëtari është një skuadër shuëm e vështirë, për ne ishte e vështirë edhe ndeshja e Lushnjës, e jo më e Gjirokostrës, që ka treguar se fundmi se është ekip i pathyeshëm. Duke parë pozicionin ne detyrimisht do të mendojmë të arrimjm që t’i marrim pikë. Nëse marrim tri pikë në transfertë, do të jetë qetësi absolute, të paktën një javë para Laçit. Është shumë e vështirë, do të marrim masat të arrijmë ku do ekipi”.

Për pretendimet e skuadrës

“Nuk është se nuk mendojmë për më lart, por duke parë që vinim nga dy humbje, u futëm në një lloj tensioni, presion ku do i marrim pikët. Nuk e kemi menduar ende se çfarë mund të pretendojmë, e rëndësishme është që sa më shpejt të dalim nga frika e rënies, më e rëndësishme sesa të pretendojmë. Nëse Vllaznia bën sezon pozitiv, meqë flitet që mund të privatizohet ekipi, nëse ata që kanë ardhur nga qytete të tjera mendojnë të rrijnë për të kthyer Vllazninë ku e meriton, do të jetë pozitiv ky fund kampionati”.

Për të ardhmen e tij

“Nuk e kam menduar, të them të drejtën. Erdha me dëshirë maksimale te Vllaznia, kisha oferta disa herë më të mira se këtu. Ata që kam afër e dinë këtë. Por isha i gatshëm me mundësitë që kam t’i shërbej ekipit. Nuk e kam menduar, nuk e di, se qëndrimi i Vllaznisë në Superiore është më e rëndësishme se vjen Sukaj apo ikën. E kam thënë se Vllaznia do jetë zgjedhje e parë, nëse ekipi do të jetë në nivele pretendente, jo se nuk do të jem i gatshëm në momente të vështira”.

Për emrat e mundshëm për të marrë Vllazninë

“Nuk është e mirë të dëgjojmë se kush vjen e ikën. I kemi parë emrat në media, e rëndësishme është që kush është me i mirë ta mbajë. Nuk kam preferenca, shpresoj ta marrë ai që di të punojë më mirë dhe i shërben ekipit për më mirë”. /vipsport.al/