Seria B, Palermo paguan 10 mijë euro për një akullore

Klubi i Palermos do të detyrohet të paguajë atë që në Itali prej pak orësh ka filluar të quhet “akullorja më e shtrenjtë e të gjitha kohëve”.

Federata Italiane e Futbollit ka bërë të ditur masat disiplinore të kësaj jave për shkeljet e klubeve të ndryshme dhe klubit të Palermos do t’i duhet të paguajë një gjobë prej 10 mijë eurosh, pikërisht për shkak të akullores së sipërpërmendur.

Në vendimin disiplinor saktësohet se në minutën e 23-të të ndeshjes së të hënës në Serinë B, të humbur 2-1 përballë Foxhias, një tifoz kishte gjuajtur nga tribuna me një akullore. Me sa duket, tifozi në fjalë kishte një shenjë të jashtëzakonshme, pasi akullorja në fjalë kishte goditur gjyqtarin kryesor Abatista. Ky i fundit nuk kishte pësuar dëmtime, por gjithçka e kishte përshkruar në relacionin e ndeshjes, ku goditja e kryesorit me akullore ishte cilësuar një shkelje e masave organizative e ndëshkueshme me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Në fakt, Palermo mund ta kishte pësuar më keq, por ka evituar një zbrazje të tribunave për ndeshjen e radhës apo një gjobë më të rëndë, pasi ka bashkëpunuar me forcat e rendit për të zbuluar menjëherë se kush ishte ai që kishte gjuajtur kryesorin me akullore.

Ndër dënimet e dhëna sot për Serinë B italiane bie në sy edhe masa disiplinore për pezullimin me një ndeshje të Migjen Bashës, i cili në fundjavë plotësoi numrin e 5 kartonave të verdhë që e detyrojnë të shohë takimin e radhës nga tribuna.  /vipsport.al/

more recommended stories