Sejdini: Për herë të parë, një kundërshtar i Dukës mori më shumë se 1 votë

Në “Rubrikën Sportive” e cila transmetohet në “RTSH”, është duke u diskutuar rreth javës së fundit në kampionatin shqiptar.

I ftuar në studio është edhe ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, i cili ia kushtuar një vëmendje të veçantë komentimit të fushës ku Kukësi pret kundërshtarët e tij në kampionat.

“Ajo që dua të them unë është se në fushën e Kukësit nuk luhet futboll. Autori i golit ndaj Kukësit, Ermir Rezi nuk e kupton sesa e dëmton ajo fushë. Nuk arrij të konceptoj faktin sesi ekipi kampion i Shqipërisë luan në një fushë të tillë. Ajo fushë është për çadra refugjatësh. Në atë gjendje nuk mund të flitet më për skema futbolli. Pas kësaj kalojmë edhe te dëmtimet dhe traumat që marrin lojtarët nga ai stadium”, është shprehur Faruk Sejdini, ndërsa në lidhje me ankesat e Kukësit për gjyqtarin Enea Jorgji në sfidën kundër Kamzës, deklaroi: “Nëse Kukësi shpall të padëshirueshëm Enea Jorgjin, atëherë duhet të dorëzojë atë titull që mori sezonin e shkuar. Ndoshta drejtuesit e Kukësit mendojnë se Jorgji bën me skuadrat e tjera, atë që bëri vjet në favor të Kukësit”

ZGJEDHJET-“Ne jemi vendi më i çuditshëm në botë dhe futbolli në Shqipëri nuk bën përjashtim. Megjithatë, për herë të parë në këto 16 vitet e fundit, një kandidat kundërshtar i Dukës, arriti të kalonte shifrën 1 të votave, sepse në zgjedhjet e kaluara, nuk kanë marrë më shumë se 1 votë, edhe pse kanë qenë ish-futbollistë. Më duket e çuditshme që njerëzit e futbollit i largojnë nga ‘qeveria’ e futbollit. Përshembull Muça apo Targaj nuk janë në Komitetin Ekzekutiv, por janë politikanë dhe inxhinierë. Nëse do të bëhej me referendum nga populli, në FSHF sigurisht që do të votoheshin ish-futbollistë. Për sa i përket zgjedhjeve të presidentit të FSHF-së, Duka pati avantazh faktin që Fino vinte nga politika dhe kundërshtarët e tij në politikë (delegatët për të votuar nga bashkitë që ka PD dhe LSI) nuk e votuan, por votuan pikërisht Dukën”./Klaudio Ndreca- vipsport.al/