Saimir Demi: Mediat sportive i bënë fushatën, tani nxitojnë për skandale

Në “Rubrikën Sportive” e cila transmetohet në “RTSH”, është duke u diskutuar rreth javës së fundit në kampionatin shqiptar.

Megjithatë, në fillimin e emisionit nuk ka kaluar pa u komentuar edhe rizgjedhja e Armando Dukës në krye të FSHF-së. Saimir Demi, kryeredaktor në “RTSH Sport”, ka shprehur pakënaqësi ndaj mediave sportive, të cilat kanë mbështetur figurën e Armando Dukës në këto zgjedhje, por që sipas tij në këtë momente kërkojnë të rikthehen në opozitë.

“Në fakt ajo që më ka bërë përshtypje pas përfundimit të zgjedhjeve, është qëndrimi i shtypit sportiv në Shqipëri kundrejt presidentit të rizgjedhur në FSHF. Nuk shkon që t’i bësh fushatën gjatë gjithë kohës presidentit, ndërsa tani mjafton një ngjarje e vogël për t’u cilësuar si një skandal i madh. Sigurisht, nuk mund të them se jam i surprizuar nga e gjitha kjo, por mendoj se nuk ia vlen të bësh rolin e opozitarit në këtë moment. Të gjithë i kemi parë gazetat sportive në kohën e fushatës”, është shprehur Saimir Demi. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/