Rrëfimi tronditës i Dagllas Kostës: Humbëm qëllimisht, sepse do të kishim vdekur

Braziliani i Juventusit ka zbuluar në “YouTube” një fakt tronditës. Ai ka treguar se e ka humbur ndeshjen me Flamengon qëllimisht, në mënyrë që të mos e fitonte titullin kampion Internacionali. Në të kundërt i rrezikohej jeta gjatë kohës kur luante me Gremion në Brazil.

Sulmuesi anësor i Juventusit ka rrëfyer se me Gremion ishte i detyruar të humbte ndaj Flamengos për të mos i dhënë titullin Internacionalit: “Ishim në fushë me rezervat dhe pas 45 minutave të para kishim shënuar një gol. Kjo pjesë u mbyll 1-1.

Në të dytën erdhi lajmi se Internacionali do të ishte kampion i Brazilit me atë rezultat. Bëmë ndërrime, unë dribloja nga njëra anë te tjetra, por larg portës. Ishte një ndeshje e vështirë të luhej. Ishte e shëmtuar, duhej të luaja për të mos fituar.

Ndeshja u mbyll 2-1 për Flamengon dhe të gjithë ishim të lumtur. A na u tha të humbnim? Normalisht, drejtuesit bëjnë vizita në dhomat e zhveshjes. Flamengo po luftonte për titullin dhe “Maracanà” ishte plot. Na u tha se mund të bënim çfarë të donim, përgjegjësia ishte e jona.

Nëse fitonim, njerëzit do të pushtonin pistën e aeroportit dhe nuk mund të udhëtonim. Tifozët e Gremios do të na vrisnin. Do të ishte një njollë për historinë e Gremios t’i jepnim titullin Internacionalit. Shkoi mirë, por nëse e mundnim Flamengon, do të kishim vdekur”, – ka rrëfyer Dagllas Kosta. Vipsport.al