Pakult e mendon ndryshe nga klubi: Jorgji, gabime njerëzore. Gjici impulsiv

Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, në një intervistë për Top-Channel ka folur për sukseset e karrierës së tij si futbollist dhe si trajner.

Gjithashtu, trajneri austriak foli për gjyqtarët, presidentin Gjici dhe për gjërat që i cilëson si të çuditshme nga jeta e përditshme në Shqipëri.

“Për Krishtlindje morë një telefon nga një mik, i cili më tha nëse isha gati të drejtoja një skuadër në Shqipëri. Pas dy ditësh bisedimesh, pranova.

Kam pasur edhe më parë kontakte me futbollin shqiptar. Kam qenë kandidat për stolin e kombëtares së Shqipërisë, por ashtu siç shkuan gjërat, mendoj se Duka bëri zgjedhjen e duhur.

Në karrierën time kam luajtur për shumë klube dhe për kombëtaren e Austrisë. Më ka pëlqyer të luaja si “9-sh”, por në atë kohë aplikohej një modul loje që sot ka humbur, pikërisht 3-5-2.

Kam pasur disa sukses në karrierë si futbollist. Në vitin 1995, me Rapidin shkuam në finale të Kupës së Kupave, pasi kishim eliminuar Celtic, por na mundi Everton.

Një tjetër sukses, ishte në periudhën që luaja te Mynih 1860. Isha 35 vjeç dhe dhashë kontribut për të ngjitur ekipin në Bundesligën 1.

Kulmi në profesionin e trajnerit ishte viti 2008 kur u shpalla kampion në Austri me Rapidin.

Në shqipëri ka ndryshim me vendet ku kam trajnuar. Këtu i duan të gjitha direkt. Presidenti Gjici është disi impulsiv. I do rezultatet direkt, por duhet pak kohë, sepse mund t’i arrijmë.

Ata që kritikojnë gjyqtarët duhet të jenë njëherë vetë në vendin e arbitrave. Gjyqtarët nuk duhen sulmuar. Edhe pse gjyqtari bëri disa gabime ndaj nesh në ndeshjen kundër Kamzës, sërish unë jam kundër deklaratës së klubit ndaj arbitrit.

Në Shqipëri më bën çudi fakti se edhe ecja në vijat e bardha nuk të jep siguri. Në trafik kam parë gjëra që nuk i kam parë asnjëherë më parë”, përfundoi trajneri i Kukësit, Peter Pakult.