Nuk luan titullar që nga nëntori, Ajdareviç: Shihemi pas tre javësh

Ky sezon nuk po shkon ashtu siç e priste Astrit Ajdareviç. Futbollisti që iu bashkua së fundmi përfaqësueses shqiptare, fillimisht humbi vendin në formacionin titullar në AEK-ut, e më pas dëmtimet e njëpasnjëshme e detyruan që të mos kishte mundësinë reale që të rifitonte një vend në 11-shen bazë.

Ajdareviç ka qenë për herë të fundit titullar në kampionatin grek në nëntor, në ndeshjen kundër Platanias, por mos pritni ta shihni shumë shpejt përsëri në fushë futbollistin shqiptar, i cili ka treguar për “fotbollskanalen” se ka një dëmtim që nuk e lejon të zbresë në fushë.

“Jam i dëmtuar dhe pres të kthehem përsëri në stërvitje pas disa ditësh. Por ky dëmtim do të më mbajë larg fushave të lojës nga 1 në 3 javë”, shpjegoi lojtari shqiptar, i cili ka folur edhe për ecurinë ekipit të tij në një sezon ku AEK duket në gjendje të luftojë për titull duke thyer hegjemoninë disavjeçare të Olimpiakosit.

“Para se unë të vija këtu, situata ishte e turbullt dhe ekipi humbi shumë pikë. Por kohët e fundit ne kemi luajtur mirë dhe kemi vazhdimësi në lojë. Unë për vete pres të luaj më shumë, jam një lojtar mesfushe i përqendruar si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Duket sikur kam një rol të ri dhe po arrij të përshtatem mirë me të”, tha Ajdareviç.

Mesfushori debutoi me fanellën e Shqipërisë në miqësoren ndaj Turqisë, ku ai luajti vetëm 9 minuta në fundin e takimit. /vipsport.al/