Nuk ka rivalitet, Champions League kthehet në shqetësim për UEFA-n

Pas Bazelit dhe Portos, Beshiktashi është skuadra e tretë e eliminuar nga Liga e Kampioneve që pas ndeshjes së parë të zhvilluar. Zviceranët pësuan 4 gola në shtëpi nga Mançester Siti, ndërsa portugezët dhe turqit nga 5 të tillë që në ndeshjen e parë, përkatësisht nga Liverpuli dhe Bajern Mynih, duke mbyllur çdo diskutim të mundshëm për vazhdimësinë e turneut.

Një mungesë kaq e theksuar rivaliteti në kaq shumë ndeshje nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në këtë fazë të turneut dhe UEFA ka filluar të shqetësohet, pasi ka parë numrat e shikueshmërisë televizive në rënie për pjesën më të madhe të takimeve.

Në një edicion ku ekipe si Liverpuli dhe PSG kanë thyer pa probleme rekordet e golave të shënuar në një sezon, ka diçka që nuk shkon dhe tashmë është bërë shumë e dukshme se ka një diferencë të thellë mes disa skuadrave dhe pjesës tjetër të pjesëmarrësve në turne.

Ndaj në zyrat e UEFA-s po mendohet një mënryë e re për të ringjallur konkurrencën dhe për të ngushtuar disi këtë distancë të krijuar, para se aktiviteti të kthehet në një “ekskluzivitet” të pak skuadrave dhe të largojë tifozët e tjerë duke sjellë si rrjedhojë edhe humbje të përfitimeve financiare. /vipsport.al/