Një vit më parë luante në kategorinë e shtatë angleze, Bushi e afron te U21

Egli Kaja është sulmuesi më i ri që do t’i bashkohet përfaqësueses shqiptare të futbollit U-21, i kërkuar me ngulm nga trajneri Alban Bushi. Ai sheh te futbollisti një sulmues i cili mund të kontribuojë në repartin e avancuar edhe pse aty ka rivalitet të fortë me emra si Abazaj, Durmishaj, Mustafa apo Hebaj.

Kaja, i testuar nga tekniku i Shpresave në majin e vitit të kaluar, është pajisur së fundmi me pasaportën shqiptare dhe tani mund të luajë rregullisht në ndeshjet e eliminatoreve të Europianit të kësaj moshe.

Futbollisti është pjesë e ekipit anglez të Uimbëlldon, i cili gjendet në kategorinë e tretë angleze. Këtë edicion, lojtari shqiptar ka filluar të gjejë hapësira më rregullisht se në sezonet e mëparshme, pasi ka luajtur 13 ndeshje, vetëm katër nga të cilat si titullar, duke mos arritur ende të gjejë rrugën e rrjetës.

Mungesa e aktivizimit të rregullt bëri që Kaja një vit më parë të huazohej te Ljues, në kategorinë e shtatë angleze të futbollit, para se të kthehej përsëri te Uimbëlldon, skuadër me të cilën firmosi në vitin 2015 dhe ka një kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm. /vipsport.al/