Mbledhje formale e drejtuesve, gjithçka është në rregull te Lushnja

Çdo gjë do të vazhdojë si më parë, nuk ka largim trajneri dhe as masa ndaj futbollistëve. Ky është konkluzioni i mbledhjes që është zhvilluar pak më parë në Lushnjë mes drejtuesve më të lartë të ekipit, stafit teknik dhe futbollistëve.

Priteshin masa në fakt, pas situatës së krijuar nga humbja me Vllazninë në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe paraqitjes së dorëheqjes nga trajneri Hysen Dedja. Ky i fundit është konfirmuar nga kryebashkiaku Fatos Tushe dhe do të vazhdojë punën.

Në takim nuk janë lejuar gazetarët, ndërkohë që tonet gjatë mbledhjes kanë qenë të larta. Në qendër të vëmendjes ishte ndeshja me Vllazninë, pas së cilës pati edhe akuza për tolerim të futbollistëve në fushë.

Kryebashkiaku Tushe nuk foli pas takimit, kurse trajneri Dedja ka thënë shkurt se drejtuesit e klubit i kanë plotësuar kushtet që ai kishte parashtruar, ndaj dhe Vllaznia është harruar dhe te Lushnja vazhdon puna si më parë. Viposport.al