Mavraj: Na mungojnë golat? Nuk ia kam idenë, e shoh portën nga larg

Edhe pse me përfaqësuesen shqiptare ka shënuar gola të rëndësishëm, në Bundesligë Mërgim Mavraj nuk është “ekspert” për të folur rreth një teme të tillë. Për herë të fundit në Bundesligën 1 ai ka shënuar 10 vite më parë, në majin e vitit 2008, ndërsa pranon se me klube nuk merr guximin për të dalë para, siç ndodh me përfaqësuesen kuqezi me të cilën ka shënuar 3 herë deri tani.

I pyetur nga “Hamburger Morgenpost” rreth mungesës së golave te klubi aktual, i cili gjendet në zonën e ftohtë të klasifikimit, Mavraj pranoi se në diskutime të tilla ndoshta ishte më mirë që të mos përfshihej.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që lojtarët janë të nervozuar dhe kërkojnë të shënojnë me forcë golat. Unë jam një futbollist i mbrojtjes, nuk ia kam idenë, pasi e shoh portën nga larg”, pranoi me sinqeritet futbollisti shqiptar. /vipsport.al/