Krahasimi/ Flasin statistikat, Tirana nuk arrin asgjë më shumë se Kastrioti

Në momentin kur Tirana u rrëzua për herë të parë në historinë e saj nga Superiorja, përveç ekipit bardheblu, ata që e vuajtën më së shumti këtë rrëzim të Tiranës nga elita e futbollit shqiptar, ishin ekipet e Kategorisë së Parë.

Të gjendur nën presionin e prishjes së garës në një farë mënyre, të gjithë prisnin me padurim grupin se ku do të përfundonte Tirana. Kjo pasi përveç luksit të madh që një ekip i Kategorisë së Parë do të kishte për të luajtur me një rival të këtij kalibri, pjesa tjetër ishte “vetëvrasje” për kampionatin.

Nëse grupi B dukej i mbyllur që me fillimin e tij, pas futjes së Tiranës në të, nuk ndryshon shumë historia në grupin A, këtë herë me protagonizmin e Kastriotit. Përveç pjesës së pagesës së futbollistëve, mes Tiranës dhe Kastriotit ka vetëm shenja të barazisë dhe pak te veçanta.

Të dyja ekipet kanë grumbulluar 41 pikë nga 16 javë kampionati, saktësisht me 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje. Rivali më i afërt për Tiranës është Bylisi, vetëm 4 pikë larg, ndërsa Kastrioti është shkëputur me 15 pikë nga ndjekësit e Erzenit.

I vetmi ndryshim që flet në favor të kryeqytetasve janë golat e shënuar, teksa Tirana ka shënuar 42 gola, ndërsa Kastrioti ka shënuar 22 gola, sigurisht për të arritur në të njëjtën kuotë pikësh. Kur bëhet fjalë për golat e pësuar, mbrojtjet e dy kryesuesve të Kategorisë së Parë janë në të njëjtën lartësi, duke pësuar vetëm 5 gola në këtë kampionat. E thonë statistikat, Tirana nuk ka arritur asgjë më shumë se Kastrioti në Kategorinë e Parë, përkundrazi janë këta të fundit që duhet të mendojnë më tepër për Superioren duke nisur nga ky moment. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/