Kategoria e Parë, Grupi B/ Apolonia turpëron kundërshtarin në 10 minuta, fiton edhe Bylisi

Në ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e mbetura të Kategorisë së Parë në Grupin B, për të mbyllur javën e 15-të.

Apolonia luajti në shtëpi me Turbinën, teksa të dy ekipet vinin me objektiva të ndryshme. Vendasit arritën në vendin e 3 me fitoren në takimin e sotëm, ndërsa Turbina diskuton fundin e tabelës, pasi renditet vetëm 1 pikë më shumë nga Naftëtari i fundit të tabelës. Pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 1-0, falë golit të Mihanës në minutën e 32. Në pjesën e dytë ka shënuar Turbina, nëpërmjet Eyoh në minutën e 59. Vendasit kanë mbyllur gjithçka në 10 minutat e fundit, teksa Llambi, Braka, Andoni dhe Mihana kanë vulosur fitoren 5-1.

Takimi i fundit që mbylli ditën e sotme ishte ai mes Pogradecit dhe Bylisit. Miqtë kërkonin të mos gabonin në këtë transfertë, pasi kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i qëndruar sa më afër kryesuesit të Kategorisë së Parë në grupin B, ekipit të Tiranës. Pjesa e parë ka përfunduar në një barazim pa gola, por në minutën e 60 ka shënuar Murataj për ekipin e Bylisit./Klaudio Ndreca- vipsport.al/

Ndeshjet e sotme

Apolonia-Turbina 5-1 (Mihana 32′ 90’+2′, Llambi 80′, Braka 84′, Andoni 89′ / Eyoh 59′)
Pogradeci-Bylis 0-1 (Murataj 60′)