Kapiteni Dimo: Apolonia është e pastër, distancohemi nga çdo akuzë

Vetëm një ditë pasi kreu i FSHF-së, Armand Duka, kishte folur për minimizim të ndeshjeve të dyshuara si të trukuara, ka ardhur teatri në stadiumin e Fierit. Me sa duket, Duka ia ka sjellë dikujt në mendje këtë fenomen negativ.

Ndeshja e djeshme në Kategorinë e Parë mes Apolonisë dhe Turbinës, 5-1, mori vëmendjen e opinionit publik, për shkak të golave të pësuar nga cërrikasit në fundin e lojës. Ishin gola shumë qesharakë, ndërkohë që koeficientët në kampanitë aziatike të basteve pësuan një luhatje të fortë për numrin e lartë të golave në këtë ndeshje. Nga minuta e 79-të dhe deri në fund u shënuan plot 4 gola, rastësisht…

Shumëkush e kupton me sy të lirë se ata gola duhej të pësoheshin. Në këtë histori, fierakët duan të sqarojnë pozicionin e tyre. Kapiteni i Apolonisë, Amarildo Dimo, thekson për “Vipsport.al” se skuadra e tij është e pastër, siç ka qenë gjithmonë dhe distancohet nga çdo akuzë për trukim të ndeshjes me Turbinën: “Për ne ishte një ndeshje e rëndësishme, që duhet ta fitonim për të siguruar 5-shen e parë të renditjes.

U futtëm në fushë për maksimumin. Shënuam të parët dhe ata na barazuan, madje na rrezikuan në një rast për të na shënuar edhe golin e dytë. Ne u shtrënguam dhe kaluam sërish në avantazh. Në fund ata sikur u shthurën, sikur e lëshuan lojën, por kjo është punë e tyre. Mbajnë ata përgjegjësi.

Ajo që mund të them me siguri është se Apolonia është e pastër dhe askush nuk mund ta akuzojë. Ne distancohemi nga çdo lloj tentative për trukim të ndeshjes, madje e dënojmë fenomenin. Personalisht, kam tre vjet e gjysmë tek Apolonia dhe për gjëra të tilla nuk bëhet fjalë. Jemi të qetë dhe mundohemi vetëm të luajmë futboll. E bëjmë gjumin të qetë”, – ka thënë kapiteni i Apolonisë.

Ka fjalë se shtyrja e ndeshjeve të caktuara për ditën e hënë bëhet pikërisht për këtë qëllim, për të pasur mundësinë e luajtjes në baste. Pse Apolonia-Turbina u shty për të hënën. Kapiteni Dimo shprehet: “Realisht, edhe sot nuk e dimë pse u shty ndeshje. Ne e mësuam vetëm ditën e premte se ndeshja ishte shtyrë për të hënën. Në fakt, kishim 3 lojtarë për gjendje gripale, Sotën Dudën dhe Velon. Vetëm njëri nga ata luajti, Sota, pasi dy të tjerët nuk e kaluan virozën. Kaq dimë”.

Vipsport.al