Kamza kundër Allës: Gjyqtar “telekomandë”. A e kishte pultin në Korçë apo te Tropikali?

Pas deklaratave të trajnerit Ramadan Ndreu se gjyqtari Laver Alla kishte ndihmuar Skënderbeun që rë fitonte ndeshjen, nga faqja e Facebook e klubit ka ardhur një reagim edhe më i rëndë.

Ata kanë akuzuar direkt skuadrën korçare për këtë gjykim të telekomanduar, duke mos ngurruar të përmendin në fjalët e tyre edhe dënimet ndërkombëtare, një thumbim  i drejtpërdrejtë për Skënderbeun.

REAGIMI I KAMZËS

Duke parë arbitrimin e sotëm të gjyqtarit “telekomandë” Laver Alla klubi ynë ndjen si detyrë të sensibilizojë opinionin sportiv lidhur me këtë gjyqtar kamikaz.

Nuk është aspak çudi të të mundë Skënderbeu, por çudi është të të mundë ekipi në fjalë me ndihmën e arbitrave.

Lind pyetja: Kush e dërgoi këtë kamikaz në Kamëz? Ishte pulti i telekomandimit në Korçë, në Tropikal apo nga ndonjë qytet tjetër?

Na vjen keq që arbitri të bëhet protagonist në një garë të bukur sportive ku të gjithë po dëfreheshin duke pare një futboll të bukur nga të dyja kampet.

Na ka mundur edhe Luftëtari në shtëpi, por askush s’ka reaguar, madje u kemi dhënë dorën kundërshtarit duke e uruar për fitoren, sepse arbitri nuk ishte protagonist.

Kërkojmë nga FSHF të hetojë këtë arbitrim tendencioz, i cili na dëmtoi me vendimet e tij, si në rastin e faullit të Radasit në formimin e aksionit të golit të parë për ekipin korçar.

Ne e kuptojmë se dikujt nuk i pëlqen renditja e skuadrës së Kamzës, dikush verbohet nga kjo ecuri, por janë pikë që i kemi grumbulluar me gjak e djersë dhe askush s’mund dhe s’duhet të tallet me ne…

Por gjithsesi, ndaj çdo padrejtësie ka Zot lart në qiell që merr hak dhe UEFA e FIFA që vonojnë, por nuk të falin në ndëshkimet e tyre.

FORCA KAMZA