Intervista për “VIP SPORT”/ Aleksi: Dhamë leksion futbolli, Luftëtari është për Europë  

Luftëtari është ekipi i momentit në Superiore, nuk ka dyshime. Ecuri pretendenti me 7 ndeshje pa humbje, fitore në trasfertë, lojë e bukur dhe me ritëm, dhe natyrisht …gola.

Një ekip vërtet simpatik, që dallohet për kundërsulmin e rrezikshëm, si në kohët e tij të arta, por Luftëtari ka edhe “heronjtë e tij të heshtur”. Albano Aleksi dhe Behar Ramadani janë dy mesfushorët e qendrës, të cilët janë të domosdoshëm për ekipin gjirokastrit në planin taktik.

Në një intervistë enkas për “Vipsport.al”, Albano Aleksi tregon çfarë e bën Luftëtarin të jetë në këtë formë të shkëlqyer dhe çfarë mund të arrijë ky ekip në vazhdim. Ndeshja më e veçantë e kampionatit dhe një mesazh për tifozët gjirokastritë. Ja intervista e plotë e mesfushorit:

Luftëtari është ekipi më në formë i momentit, me 7 ndeshje radhazi pozitive. Ku qëndron “sekreti”?

Po, jemi ekipi më në formë i momentit dhe personalisht them se sekreti është vetëm puna e këtij grupi çunash të mrekullueshëm. Vetëm me punën e të gjithëve bashkë jemi këtu ku jemi.

Ju vjen keq që nuk keni pasur këtë paraqitje që në fillim të sezonit?

Sigurisht, na vjen keq, sepse kemi luajtur një futboll të bukur në çdo ndeshje, pavarësisht rezultateve që kemi marrë. Më vjen keq, sepse jam i bindur se Luftëtari duhej të ishte më lart.

Nëse kampionati do të niste tani, çfarë mund të bënte ky Luftëtar?

Në qoftë se kampionati do të niste tani, sigurisht që do të bënim diçka më shumë. Do të pretendonim për më lart, sepse luajmë futboll të mirë dhe efikas.

Sa ju ka ndihmuar merkatoja e dimrit për të stabilizuar ekipin?

Merkatoja e janarit normalisht që na ka ndihmuar shumë. Lojtarët që kanë ardhur shpresoj se do të na ndihmojnë edhe në vazhdim që të ecim siç kemi ecur deri tani.

Po fitoni edhe në transfertë, si ekipet e mëdha të kampionatit. Ku buron forca e ekipit tuaj?

Ekipi ynë beson se mund të fitojë në çdo fushë dhe këtë gjë e kemi treguar më së miri, pavarësisht ekipit që kemi pasur përballë. Është thjesht çështje besimi.

Çfarë mendimi keni për lojtarët e huaj në ekip?

Për lojtarët e huaj do të thosha se kemi marrëdhënie shumë të mira dhe mund të veçoj Xheksonin, i cili është edhe shumë shakaxhi.

Përveç forcës së grupit, cilët janë lojtarët, pa të cilët Luftëtari nuk bën dot?

Përveç forcës së grupit, lojtarët pa të cilët Luftëtari nuk mund të bëjë janë Bregu dhe Abazaj, pasi vlerat e tyre dihen tashmë. Por, pavarësisht kualitetit të këtyre të dyve, ne e kemi treguar përsëri forcën tone si grup.

Ndesheni dy herë radhazi me Laçin, si i shihni këto ndeshje?

Po, kemi dy ndeshje njëra pas tjetrës me Laçin. Normalisht, ne respektojmë çdo kundërshtar. Do të tentojmë në ndeshjen e parë që të kthejmë një rezultat të vështirë, pasi kemi humbur 3-0 në Laç, por jo të parealizueshëm. Kurse në ndeshjen që kemi për kampionat në Laç, dihet që është një nga fushat më të vështira. Por ne i marrim ndeshjet një e nga një dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv dhe të ruajmë këtë ecuri të mirë që kemi.

Ku mendoni se mund ta mbyllë këtë kampionat Luftëtari?

Besoj se Luftëtari mund ta mbyllë në 4 vendet e para, sepse i ka mundësitë për ta mbyllur në këto pozita. Mund të them se është pak shpejt për të folur për këtë gjë, sepse janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, kështu që më mirë t’ia lëmë fushës. Mund të flasim më mirë në fund të kampionatit, por ne besojmë.

Një dallim mes trajnerëve që ju kanë drejtuar këto sezone?

Është një pyetje e vështirë. Do të thosha se çdo trajner ka strategjinë e tij, ka mënyrën e vet të punës dhe si mund të luajë ekipi. Nuk mund të bëj asnjë dallim mes trajnerëve që kam punuar.

Ndeshja më e bukur për ju në këtë sezon?

Për mua ndeshja me e bukur për këtë sezon është fitorja me Kamzën në transfetë. Nuk është se fituam me rezultat bindës, por fituam me një leksion futbolli.

Cili është ekipi më i vështirë për t’u përballuar?

Ekipi më i vështirë për t’u përballuar normalisht që është Skënderbeu, sepse është edhe ekipi më i mirë në Shqipëri, pavarësisht se mund të ketë pasur ndonjë lëkundje në kampionat.

Një mesazh për tifozët gjirokastritë?

Në radhë të parë, do të thosha se është shumë e rëndësishme që të kemi sa më shumë tifozë, kur luajmë ndeshjet brenda. Por dëshira jonë është që t’i kemi edhe në ndeshjet në transfetë. Dua t’i falënderoj për përkrahjen që na kanë dhënë dhe shpresoj të na e japin deri në fund. Respekt për shqiponjat bluzi!