Intervista / Emini: Te Kukësi ishim vetëm 13 lojtarë, kisha oferta nga Superiorja

Izair Emini erdhi te ekipi i Kukësit me shumë bujë në janarin e 2016, duke kaluar një aventurë të këndshme dhe me trofe. Me golat e tij ndihmoi Kukësin të fitonte titullin, duke shënuar edhe në Champions League përballë Sherifit. Fitues i Kupës së Shqipërisë, Superkupës dhe Kampionatit shqiptar, Emini u rikthye te Shkëndija mbas shumë polemikash.

Në një intervistë për “VIP SPORT”, Emini pranon se kampionati shqiptar është më i fortë se ai maqedonas ndërsa zbulon se ka pasur disa oferta nga Superiorja.

Izair, jeni kthyer në një lojtar kyç te ekipi i Shkëndijës menjëherë sapo iu bashkuat kësaj skuadre. Çfarë shihni ndryshe nga Kukësi?

Për të qenë lojtar i një skuadre si Shkëndija patjetër që duhet të kesh cilësi, sepse brenda ekipit gjen shumë kualitet dhe lojtarë të nivelit të lartë. Jemi rreth 20 futbollistë, secili me vlerat e tij dhe kjo e bën ekipin më të fortë. Ndryshe nga Kukësi, ku kur fituam titullin ishim 12 apo 13 lojtarë në të cilët bazohej skuadra, pa dashur asnjë futbollist të ndjehet i ofenduar nga kjo që them.

Në mesjavë luani kundër Vardarit, rivali kryesor per titull. Duke ditur qe jeni shkëputur në vendin e parë, a mendoni se mund te ketë ndikime “politike” në gjykim?

Po, tashmë të mërkurën luajmë kundër rivalit direkt në fillimin e pjesës së dytë të sezonit. Jemi përgatitur mirë dhe mezi e presim këtë takim. Ne si futbollistë jemi maksimalisht të përqendruar për të dhënë më të mirën dhe as që duam të mendojmë për ndonjë pengesë anësore që mund të vijë. Nuk e besoj dhe shpresoj mos të ketë ndikime politike, sepse fundja të gjithë vazhdimisht po përsërisin se duhet angazhim maksimal për një futboll të pastër. Uroj të kemi gjykim korrekt dhe ne në fushë të japim më të mirën për të kompletuar spektaklin.

Nga Kukësi u larguat në një mënyrë që ndoshta nuk e prisnit. A do të riktheheshit te Kukësi duke parë formën e dobët që po kalon ekipi?

Unë nga Kukësi jam larguar pasi më mbaroi kontrata dhe realisht as që kisha pritur se do të mund të shfaqeshin probleme të tilla që erdhën si rezultat i pretendimeve të gabuara të drejtuesve. Futbolli në vendet tona i ka këto gjëra dhe shohim çdo ditë se gjithçka është e mundur. Sa i përket asaj nëse do kthehesha një ditë të Kukësi, nuk mund të them asgjë, sepse në jetë dhe futboll asnjëherë nuk i dihet por kjo nuk varet vetëm prej meje.

Në krahasim të dy kampionateve, shqiptar dhe atij maqedonas, cili ju duket më i veshtirë?

E kam thënë edhe më herë se kampionati shqiptar është më i fortë dhe më i egër në krahasim me kampionatin e Maqedonisë. Por ndërkohë është Shkëndija, por edhe Vardari që me kualitet shkojnë shumë lart dhe për cilësi realisht kalojnë nivelin e futbollit në këto vende. Bashkë me Skënderbeun, vite me radhë po e dëshmojnë edhe në Europë.

Po tregoni një formë të mirë me Shkëndijën. A keni pasur kontakte nga ekipe të tjera gjatë merkatos që lamë pas?

Po, si çdo futbollist tjetër edhe mua nuk më kanë munguar kontaktet, por duke qenë për momentin nën kontratë me Shkëndijën, nuk kam folur për diçka konkrete. Unë kam ardhur këtu për një qëllim dhe do e respektoj deri në fund marrëveshjen time me Shkëndijën. Pastaj mbetet të shohim se si do të shkojnë gjërat.

Çfare ju ka mbetur peng nga Kategoria Superiore?

Të jem i sinqertë nuk kam asnjë peng nga Superiorja pasi që për një vit e gjysëm sa luajta atje me Kukësin arrita të fitoj gjithçka që mund të fitohet. Kampionati, Kupa dhe Superkupa ishin tre garat nga të cilat morrëm tre trofe, ndërsa unë personalisht shënova mbi 20 gola. Më shumë se kaq nuk kishte ku të shkonte.

A e ndjek kampionatin shqiptar? Çfarë do veçonit nga ecuria e ekipeve?

Sigurisht që vazhdoj ta ndjek kampionatin shqiptar dhe të jem i sinqertë, më çudit diferenca e madhe që ka bërë Skënderbeu në raport me skuadrat tjera. Normal, po shikoj një Vlorë të fortë që duket se kanë bërë punë të mirë, ndërsa kanë rënë në nivel Partizani dhe Kukësi që si duket nuk gjejnë qetësi brenda vetes dhe kjo ndikon në rezultatet e tyre.

A mbani ende kontakte me drejtuesit e Kukësit? A kanë pretenduar ndonjë rikthim tuajin ne Shqipëri?

Jo, nuk kam kontakte me drejtuesit dhe nuk ka patur ndonjë tentativë të tillë për tu rikthyer te Kukësi. Ndërkohë më kanë kontaktuar ekipe të tjera, por e them se tani gjithë përqendrimin e kam te Shkëndija dhe titulli i kampionit që duam ta rrëmbejmë. /Erjon Allaraj/vipsport.al/