Harrohen zgjedhjet e FSHF, nis “avazi”, edhe Tirana ankohet për gjykimin

Zgjedhjet për kreun e FSHF-së tashmë janë “harruar” dhe gjithçka i është kthyer “normalitetit” me klube që javë pas jave vazhdojnë të ankohen për gjykimin.

Pas Kukësit që reklamoi gjykimin në sfidën kundër Kamzës një javë më parë, tashmë është Tirana që nuk pajtohet me arbitrimin.

Në ndryshim nga Kukësi që shkoi shumë larg, duke akuzuar Kamzën se kishte paguar gjyqtarin, Tirana është treguar më e “butë” në reagimin e saj.

“E turpshme”, shkruhet në faqen zyrtare të bardhebluve në Facebook, shoqëruar me videon e 11-metërshit të fituar nga Bylisi në takimin e luajtur sot për Grupin B të Kategorisë së Parë. Ndeshja përfundoi 1-1 dhe fatin e takimit e vulosi penalltia e fituar nga ballshiotët, aq shumë e diskutuar, për faktin se Tirana pretendon se nuk ka kontakt mes Turtullit dhe lojtarit të Bylisit.