Gjyqtarët gabojnë? Jo për shoqatën e “pavarur”: Nuk ndikuan në rezultate

Java që sapo u mbyll në Superiore u shoqërua me polemika të shumta sa i përket gjykimit. Kamza akuzoi publikisht gjyqtarin Laver Alla se i kishte dhënë ndeshjen Skënderbeut, ndërsa Partizani shaplli “non grata” Kridens Metën dhe asistenët e tij për mënyrën se si kishin vepruar në ndeshjen ndaj Kukësit.

Por për presidentin e Shoqatës Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë, Tahir Kastrati, mendon se këtë javë gabimet në gjykim kanë qenë me pikatore. Numri 1 i shoqatës e cila pretendon se është plotësisht e pavarur nga FSHF, ka deklaruar në një intervistë për “Top Channel” se gjyqtarët nuk kanë ndikuar rezultate e takimeve.

“Për mendimin tim ishte një javë mjaft e mirë, ku gabimet e arbitrave kanë qenë me pikatore dhe nuk kanë ndikuar absolutisht në rezultatin e ndeshjeve. I ngarkojnë psikologjikisht gjyqtarët në një formë presioni, e cila do të arrijë në atë që ata të kompensojnë një gabim me një gabim tjetër”, ishin fjalët e Kastratit që me sa duket quan të kota pretendimet e klubeve.

Ndërkaq, a ftoi klubet që të depozitonin ankesat e tyre në rast se kishin dyshime ndaj gjyqtarëve të caktuar.

“Është bërë një modë tashmë që merren vetëm me arbitrat dhe me asgjë tjetër. Kur ka raste korrupsioni, e të tjera, atëherë një bashkëpunim midis këtyre klubeve dhe Komitetit të arbitrave do të  sjellë eliminimin, në rast se ka nga ata që përfitojnë nga kjo situatë”, deklaroi presidenti i shoqatës së gjytarëve. Kjo e fundit nuk ka reaguar më që pas akuzave të cilat sollën ndëshkimin e Shpëtim Duros, edhe pse klube të ndryshme janë shprehur publikisht edhe me akuza shumë të rënda ndaj “xhaketave të zeza”. /vipsport.al/