FSHF, merr shembull nga Bullgaria! Monitorim dhe edukim nga “Sportradar”

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, një ditë më parë cilësoi akuzat ndaj klubit të tij si “justifikim i milionave që marrin” të kompanive që punojnë për UEFA-n. Por nuk janë të shumtë ata që e mendojnë të njëjtën gjë si kreu i korçarëve, i cili i referohej kompanisë së monitorimit të basteve “Sportradar”.

Vetëm një ditë para se të bëhej publik raporti i UEFA-s, kompania në fjalë kishte nënshkruar një kontratë me Federatën Bullgare të Futbollit, ne një tjetër vend ku trukimet e ndeshjeve janë kthyer në problem gjatë dy dekave të fundit.

“Sportradar”, nga ky sezon do të monitorojë ndeshjet e skuadrave të kampionatit bullgar, të ligës së parë dhe të dytë, ndërsa do të zhvillojë me futbollistët, trajnerët dhe gjyqtarët seminarë TË DETYRUESHME për luftën kundër manipulimit të ndeshjeve çdo muaj.

Të gjithë do t’u nënshtrohen testimeve të vazhdueshme për të parë nëse kuptojnë konceptet e manipulimit të ndeshjeve dhe nëpërmjet këtyre seminareve do t’u bëhen të qarta edhe sinjalizimet dhe pasojat që do të ketë për karrierën e tyre përfshirja në ngjarje të tilla.

“Çdo federatë që shpreh këtë nivel përkushtimi do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë. Jemi të nderuar se Federata na kërkoi ne që të ndërtonim këtë plan ambicioz për ruajtjen dhe sigurinë e sportit për pjesëmarrësit dhe të interesuarit kundër trukimit të ndeshjeve për baste dhe korrupsionit. Kemi shumë punë për të bërë dhe jemi gati të tregojmë frytet e saj”, ishin fjalët e Aleks Gerontikos, shefit të departamentit që mbulon Europën Lindore për kompaninë në fjalë. /vipsport.al/