Ekskluzive / Ish-futbollisti i Superiores akuzohet për trukime në Zvicër

Një ish-futbollist i Kategorisë Superiore bëhet protagonist i skandalit të ri të manipulimeve në kampionatin zviceran të futbollit. Klubi i Kiasos i është drejtuar pak ditë më parë prokurorisë zvicerane si dhe federatës në këtë vend për të denoncuar një tentativë manipulimi të ndeshjeve të kampionatit.

Klubi nuk ka bërë të ditur se për kë bëhet fjalë, por ka zbuluar se është një ish-lojtar i kësaj skuadre i cili i është drejtuar futbollistëve fillimisht me disa SMS të dyshimta, e më pas ka kontaktuar personalisht një lojtar të Kiasos duke i propozuar që të toleronte në ndeshjen e fundjavës. Lojtari ka treguar gjithçka në dhomat e zhveshjeve dhe aty është marrë vendimi për t’iu drejtuar organeve përkatëse. Faktin se bëhej fjalë për një ish-lojtar e ka pranuar publikisht edhe drejtori i përgjithshëm, Nikola Brinjoti. “Është një ish-futbollist, nëse mund ta quajmë të tillë”, tha ai.

Emri nuk është bërë publik, ndonëse gjendet i shkruar në deklaratën zyrtare të lojtarëve të Kiasos, ndërsa pas hulumtimeve të VIP Sport kemi mësuar se bëhet fjalë për një lojtar shqiptar të lindur në Zvicër, aktualisht 26-vjeçar, i cili disa sezone më parë ka qenë pjesë e një prej klubeve të elitës në Shqipëri.

Pas një eksperience në Shqipëri të mbyllur pa lënë gjurmë brenda një sezoni të vetëm, ai u kthye përsëri në Zvicër, por pa arritur të afirmohej as atje dhe tani militon në kategoritë e ulëta zvicerane. Gjatë eksperiencës së tij në futbollin zviceran, ai është njohur me shumë lojtarë të përfaqësueses shqiptare dhe ka miqësi të ngushtë me disa prej tyre. /E.K./vipsport.al/