Dosja Skënderbeu, Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet

“Nuk ka bashkëpunim nga autoritetet shqiptare ndaj kemi vendosur që të marrim vetë në dorë situatën”. Këto janë fjalët e kryeinspektorit të Disiplinës dhe Integritetit në UEFA, Emilio Garcia, një vit më parë, ndërsa shpjegonte se përse organizata kishte vendosur të përdorte provat që kishte siguruar vetë nëpërmjet luhatjeve të basteve, për të dënuar Skënderbeun.

Në fakt, në Shqipëri hetimet për trukimet e ndeshjeve kanë qenë minimale. Tentativat e zbehta të FSHF-së janë shoqëruar rrallëherë me hapa të mirfilltë nga organet hetimore shqiptare dhe siç tregon “Shqiptarja.com”, edhe hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda rreth Skënderbeut është mbyllur në heshtje të plotë.

Pas dënimit të KAS të Lozanës, Prokuroria nisi hetimet rreth klubit korçar, duke marrë në pyetje edhe drejtues të tij e lojtarë të ndryshëm. Por pas një viti hetimesh, ku dosja ndërroi disa herë zyra, u shpall moskompetencë rreth saj dhe ngjarja u delegua në Prokuroritë e rretheve të Korçës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. Atje hetimet janë pushuar sa i përket çështjes së nisur për “grup të strukturuar kriminal” që merrej me “fiksimin ose paracaktimin e rezultatit në garat sportive”. Me pak fjalë, nëse pritet një dënim për Skënderbeun, ai do të vijë vetëm nga organet e drejtësisë sportive. /vipsport.al/