Ditë për t’u harruar, Coutinhos i marrin makinën dhe i vjedhin shtëpinë

Ditë për t’u harruar ajo e djeshmja për Coutinhon. Sulmuesi i Barcelonës në fillim është përballur me problemin e parkimit, sepse kishte lënë automjetin e tij në një vend ku nuk lejohej qëndrimi.

Makina e sulmuesit të Barçës është marrë nga autoritetet rrugore me karroatrec, por ky nuk ishte problemi i vetëm për Coutinhon, sipas spanjolles “Sport”.

Në mbrëmje, pasi u kthye në shtëpi vuri re se kishte pasur “mysafirë” të paftuar. Shtëpia e tij ishte bastisur nga hajdutët. Ende nuk dihet se çfarë sendesh kanë vjedhur, por Coutinho ka bërë denoncimin në polici.

Kujtojmë se sulmuesi brazilian nuk mund të luajë në Champions, sepse është aktivizuar me Liverpoolin në këtë kompeticion gjatë këtij sezoni dhe për këtë arsye kishte qëndruar në Spanjë, duke mos udhëtuar drejt Londrës, ku Barça po luan sfidën kundër Chelsea.