Dënimet për trukime nga UEFA / Skënderbeu përkrah Fenerbahçes e Beshiktashit

Hetimi për Skënderbeun nga UEFA dhe kërkesa për pezullimin 10-vjeçar të skuadrës korçare, është kthyer padyshim në temën kryesore të ditëve të fundit në vendin tonë. Gjatë këtyre ditëve, shumë tifozë të ekipit korçar, e jo vetëm, e kanë cilësuar këtë një rast unik dhe një dënim të UEFA-s ndaj një klubi të një vendi të vogël.

Por dënimi për Skënderbeun nuk është aspak i tillë. Gjatë 9 viteve të fundit, UEFA ka marrë masa administrative pezullimi me afate të ndryshme për skuadra apo persona të veçantë për përfshirjen e tyre në rastet ku ka pasur manipulime ndeshjesh.

Në faqen e internetit të saj janë të renditur 16 masat administrative më të rëndësishme të marra kur janë ndeshur dhe faktuar aktivitete që kanë lidhje me trukimet e ndeshjeve, çështje të cilat më pas janë konfirmuar edhe nga KAS në Lozanë.  Bie në sy që pjesa më e madhe e dënimeve ka ardhur pas hetimeve kombëtare të organeve policore, pa pasur nevojë për ndërhyjen e Sportradar, ndërsa në rastet kur shteti ka qëndruar indiferent, atëherë ka qenë kjo kompani që ka siguruar provat për të nisur hetimet në të cilat shpeshherë është përfshirë edhe Europol..

Rasti i parë në listë është pikërisht ai i Pobedës, që u bë “shembull” për të gjithë Europën, me ndëshkimin 8-vjeçar të saj dhe përjashtimin e përjetshëm të presidentit të klubit. Më pas e kanë radhën një sëri gjyqtarësh, për të vazhduar me klubin grek të Olimpiakos Volou, çekët e Sigma Olomuc, ukrianasit e Metalist Kharkiv si dhe klubet turke me në krye gjigandët e Fenerbahçe dhe Beshiktash, të dyja pas hetimeve kombëtare.

Dënimi më i fundit që ka dhënë UEFA për manipulime ndeshjesh ishte ai ndaj futbollistëve të Maltës U21, i një muaji më parë. Ata nuk pasqyrohen në këtë listë, por me siguri do të renditen aty pasi të mbarojë procesi në KAS të Lozanës. /vipsport.al/