Daja: Jemi ekip me mentalitet fituesi, dënimi do të ishte kthim prapa për futbollin tonë

Pas ndeshjes në Kamzë, ku Skënderbeu fitoi 1-2, trajneri Ilir Daja më shumë ka folur për situatën jashtë fushe se për këtë trepikësh. Ai ka vlerësuar së pari ekipin për mënyrën si e administron lojën edhe kur është në disavantazh, ndërkohë që për çështjen e dënimit të mundshëm nga UEFA ka theksuar se do të ishte një kthim prapa për futbollin shqiptar.

“Ajo situatë që po kalojmë, pas kërkesës për dënimin nga UEFA, sigurisht që do të lërë gjurmë, por kam një ekip me mentalitet fituesi. Në kushte të vështira dimë ta administrojmë lojën. Dimë ta rrisin mënyrën e lojës për të shkuar te goli, kur gjendemi në disavantazh, krijojmë situata në zonën kundërshtare dhe rrjedhimisht shënojmë.

Kamza është ekip simpatik dhe me mbështetjen e tifozëve bëhet më e vështirë. Kushtet dhe ambienti të bëjnë të luash futboll në kushte normale.

Dënimi? Ecuria dhe fair-play që pasur kohët e fundit është për të ardhur keq, pasi nuk po shijojmë punën tonë. Futbolli ka qenë në nivele mbijetese në Shqipëri, ku kanë lëvizur koeficientet e jetës dhe jo më të futbollit.

Jo vetëm ne si Skënderbe, por kushtet janë përmirësuar në futboll. Do të ishte një fatalitet për të gjithë ne, nëse do të merrnim një karton të kuq në këtë periudhë kaq të mirë të futbollit tonë.

Dita? Kur ndërron pozicion, do kohë, kështu që ndonjë gabim falet. Besoj se Dita ka bërë mirë, duke ditur se është ndeshja e parë, jo vetëm në aspektin e dyluftimeve, por edhe në organizimin e lojës. Me rikthimin e Vangjelit dhe të Jashanicës, do të jemi më mirë në mbrojtje.

Nuk ka problematikë për Soue. Nëse një sulmues nuk ka suportin e linjës së dytë dhe të krahëve, nuk mund të bëjë gjë përballë 3-4 kundërshtarëve. Nuk është ai që ka qenë, por po shkon drejt asaj forme që kishte para vitit të ri.

Ky është një problem i futbollit shqiptar, sepse Skënderbeu e ka përfaqësuar denjësisht. Do të ishte një kthim prapa edhe në politikat e UEFA-S. Me një mbrojtje ligjore, pasi ka një bashkëpunim me një studio ligjore, shpresojmë në të drejtën tonë. Ekipi dhe qyteti nuk e meritojnë dënimin”, – tha Daja për “Supersport”. Vipsport.al

Related Posts