Daja i prerë: S’është ndeshje formale me Teutën, jemi të dyzuar për formacionin

Para ndeshjes me Teutën ka folur trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, i cili kthehet pas një “mungese njëjavore” për shkak të gjendjes gripale. Trajneri i Skënderbeut ka theksuar se ndeshja e nesërme nuk është formale, pavarësisht fitores 0-2 në Durrës, ndërsa për formacionin është i dyzuar:

“Nuk do të thosha se është formalitet ndeshja e kthimit, edhe pse kemi bërë një hap të mirë, duke fituar 0-2 në transfertë. Specifika e kupës është e tillë, me 180 minuta, kështu që do të respektojmë 90-minutëshin e radhës që të kthehemi në performancën që kemi pasur, pse jo ta përmirësojmë atë.

Formacioni? Jemi të dyzuar dhe po diskutojmë me stafin. Ka një anë që po e trajtojmë, atë që kush do që të veshë fanellën e Skënderbeut, ka 6 ditë kohë të tregojë formën e vet dhe të na thotë: jam edhe unë këtu, pjesë e rëndësishme e ekipit. E dyta është se ndonjë lojtar që ka pasur probleme shëndetësore, siç është Jashanica, i cili ka një dëmtim të lehtë, mund ta ruajmë. Do të shohim se çdo të bjëmë nesër, rotacion apo minutazh për ritmin e duhur.

Me Besëlidhjen u dhamë mundësi të gjithë lojtarëve, të cilët kishin pak minuta, për pak sa nuk u eliminiauam, pa dashur të nënvlerësoj asnjë ekip. Për të treguar mentalitet fituesi, fanellën duhet ta marrësh, jo të ta servirin atë.

Është bërë filozofi e klubit tashmë që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Jemi të fokusuar te Teuta, pasi nuk kemi mbyllur ende asgjë. Nuk ke të drejtë të gabosh në kupë. Natyrshëm që 11  pikë diferencë në kampionat na japin qetësi, por që të nesërmen e ndeshjes me Flamurtarin kemi folur dhe duam ta ruajmë këtë standard, pse jo ta thellojmë më tej, duke përmirësuar lojën tonë.

Edhe vjet, siç kam diskutuar edhe me grupin, në kalimin e 4 tureve, ka ndikuar ritmi, nuk ishte rastësi. Ishte një fazë e 4-t shumë e mirë, ku i fituam të gjitha ndeshjet, përveç njërës, që ishte e izoluar dhe nuk dua ta përmend. Për inerci bëmë atë paraqitje në Europë. Të mos kënaqemi me këtë që kemi arritur, por të vazhdojmë të përmirësohemi.

Pas Teutës do të fokusohemi te Kamza, me të cilën kemi dy barazime në këtë kampionat. Kjo bën që ta vlerësojmë maksimalisht, sepse në fund të fundit, 3 pikët janë njësoj si ndaj Flamurtarit dhe Kukësit, ashtu edhe ndaj Kamzës, Teutës etj.

Pozitive për ne është që i gjithë kontigjenti është në dispozicionin tonë. Veç Vangjelit, i cili mungon për kartonë, do të shkojmë në Tiranë për ta fituar ndeshjen”, – theksoi në konferencën e shtypit trajenri i Skënderbeut, Daja.

Vipsport.al