Befasi te Interi, dëmtohen dy titullarë për ndeshjen e radhës

Festa e fitores së parë pas dy muajsh, duket se nuk ka zgjatur shumë në shtëpinë zikaltër. Në ndeshjen e fituar 2-1 përballë Bolonjas, Interi ka humbur dy lojtarë kryesorë.

Mbrojtësi brazilian Miranda u detyrua të linte fushën e blertë në pjesën e dytë, si shkak i një dëmtimi. Ai ishte fajtor te goli i pësuar nga zikaltërit dhe zëvendësimi u duk si pjesë e taktikave të Spaletit, por në fakt nuk ka rezultuar kështu.

Dëmtim ka pësuar edhe mesfushori kroat Perisiç. Gjatë ndeshjes ai shfaqi probleme duke mbajtur shpatullën me dorë, por Spaleti nuk kishte mundësi ta zëvendësonte, pasi kishte plotësuar numrin. Perisiç, së bashku me Mirandën nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen në transfertë kundër Xhenoas në fundjavë.

Shqetësime ka shfaqur edhe autori i golit të dytë, Karamoh, por qe nuk rrezikon të mungojë. Ndërkohë pritet rikthimi i kapitenit Mauro Ikardi, i cili duket se ka lënë pas dëmtimin e pësuar që e mbajti larg fushave për disa javë. Kapiteni i Interit ka shënuar këtë sezon 18 gola në 22 ndeshje, duke konkurruar për “Këpucën e Artë” në Itali. /vipsport.al/