Apeli i Argjentinës para Botërorit: Mesi të luajë më pak te Barcelona

Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Klaudio Tapia, ka treguar se ka folur me Lionel Mesin, që ta bindë argjentinasin që të luajë më pak me Barcelonën në muajt në vazhdim, në mënyrë që të shkojë sa më i freskët në Botërorin 2018.

“Do të uroja që të gjithë futbollistët të arrinin në Botëror në formën që janë. Forma e Agueros është e jashtëzakonshme dhe Lionel Mesi është gjithmonë në kulm. Kjo është e rëndësishme për drejtuesit dhe stafin teknik. Kemi folur me Mesin për ta bindur që të luajë më pak te Barcelona”, deklaroi ai. Lodhja e tepërt e lojtarëve kyç është cilësuar shpesh si arsyeja kryesore pse Argjentina dështon në aktivitetet madhore.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Argjentinase zbuloi se ekzistonte një plan për të luajtur një ndeshje të veçantë miqësore si përgatitore për turneun, atë kundër përfaqësueses së Katalunjës më 4 qershor në Barcelonë. /vipsport.al/