Allegri humor me gazetarët: Jemi baraz me Barçën dhe Bayern, do fle para Tottenham

Juventus do të përballet nesër me Tottenham, për të luajtur ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League.

Trajneri Massimiliano Allegri është shfaqur i karikuar dhe optimist në konferencën e sotme për shtyp, edhe pse i trembet aspektit fizik të skuadrës angleze.

“Nuk do firmosja për një 0-0. Pres një ndeshje të ekuilibruar. Të dyja skuadrat kanë 50% shanse për të kaluar më tej. Duhet të luajmë një ndeshje me kujdes të lartë dhe të mos nënvlerësojmë kundërshtarin. Do të na duhet zgjuarsi dhe teknikë, sepse Tottenham ka një ekip të fortë fizikisht. Kualifikimin duhet ta sigurojmë në Londër”, tha Allegri.

MATUIDI– Mesfushori francez është i dëmtuar, ndërsa trajneri i Juventusit deklaroi me batutë: “Dikush do të luajë në vend të tij, sepse është e sigurt që do të luajmë 11 kundër 11”.

HIGUAIN-KANE– “Mes të dyve zgjedh Higuain, edhe pse Kane është i fortë. Janë të dy shumë të nevojshëm për skuadrat respektive. Juventus është një pikë referimi për Tottenham? Klubi ynë është rritur shumë. Kemi arritur dy finale në tre vite. Më mirë se ne ka bërë vetëm Real Madrid dhe jemi të barabartë me Barcelonën dhe Bayern Munchen. Objektivi ynë është të kalojmë këtë tur të radhës në Champions dhe më pas të shohim çfarë do të ndodhë”, tha trajneri i Juventusit.

MODULI– “Marchisio më ka bindur, por edhe Sturaro e Bentacur mund të luajnë në vend të Matuidit. Kë do zgjedh mes tyre? Varet si do të zgjohem nesër në mëngjes, sepse në fakt do të fle. Mos mendoni të kundërtën”, përfundoi Allegri/Vipsport.al/A.T.