Akuzat ndaj Jorgjit/ Jemini: Deklaratë e fortë! Sinemati: Nuk dihet për kë votoi Kukësi…

Kukësi akuzoi gjyqtarin Enea Jorgji pas humbjes kundër Kamzës. Përmes një deklarate për shtyp, klubi verilindor hodhi akuzën se gjyqtari ishte blerë nga Kamza.

Kundër kësaj deklarate ka dalë ish-gjyqtari i FIFA-s, Lorenc Jemini në studion e “Procesit Sportiv” në Top-Channel: “Kjo është një deklaratë shumë e fortë. Nuk mund të bëhen të tilla akuza kur nuk ke fakte. Kjo është shumë e rëndë. Është deklaratë shumë e cuditshme se ka dalë menjëherë pas ndeshjes, të lë të dyshosh kushedi se çfarë ka ndodhur. Përveç rastit për 11-metërsh, ka pasur edhe një rast. Më duket e nxituar dhe e papjekur nga Kukësi, sikurse ka një deklaratë tjetër po nga kjo fushë ndodhi, nga trajneri i Flamurtarit. I shikoj të pabaza këto lloj deklaratash, se nuk mund të jetë serioze. Nëse ke prova kaq të forta, është në Prokurori që duhet të shkosh, kështu duhet të zgjidhet. Nuk mund të dalësh të thuash FSHF e ka blerë, është shumë e rëndë”.

Por, kundër Jeminit ka dalë gazetari Gëzim Sinemati. “Kam frikë se ‘goli’ është bërë në Asamble Zgjedhore. Sepse, sapo mbaroi Asambleja, direkt kundër Kukësit. Nëse gjyqtari ka dëmtuar Kukësin, tashmë mund të pyetet se ku ka shkuar vota e kuksianëve në zgjedhjet për kreun e FSHF. Nëse Kukësi nuk ka votuar për Dukën mund të ndodhi kjo gjë, sepse gjyqtarët janë xhelatët e Dukës”, tha gazetari Gëzim Sinemati, duke shtuar: “Klubet nuk duhet të heshtin dhe të ngrenë zërin kur mendojnë se ka padrejtësi ndaj tyre. Më mirë deklarata të forta, sesa servilizëm”.