7 shkurti, “Dita Kombëtare e Manipulimit”

 

Më 7 shkurt 2018, futbolli në Shqipëri priste me kureshtje të shikonte se si do mbahej Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Kuriozitet për të ditur nëse “mbretërimi” i Armand Dukës do zgjaste edhe një mandat tjetër!

Skenare dhe llogari nga më të ndryshmet. Dikush e shpallte fitues, e dikush humbës.

Një pjesë e mirë pëshpëriste duke thënë: – “Ai ka manipuluar shoqatat ilegale. E fillon ndeshjen në avantazh”. Një pëshpërimë e pritur, por që padiskutim do shkaktojë një kosto të rëndë në javët e ardhshme.

Më 7 shkurt 2018, nuk triumfoi ilegaliteti. Ai thjesht u konfirmua. U banalizua votimi, deri në dhënien e të drejtës së votës për ndonjë mik që e kishin pasur në kafe, një pronari restoranti që gatuan mirë kërnackat, një shoku fëmijërie, apo dy zëvendës trajnerëve të një ekipi, që u shpërndan nëpër Shqipëri me fletën e bardhë.

Nuk u çudit njeri pse njëri nga Shijaku votoi për Velipojën, pse përfaqësues nga Laçi votuan për Burrelin, Shoqatën e Lezhës apo Olimpikun e Tiranës.

Nuk u çuditën as kur një ish-shofer Bashkie kishte të drejtë vote, krahasuar me atë që ishte njohur si pronar deri tani. Nuk u çuditën pse njeri nga Lezha voton për Shoqatën e Shkodrës, një shef klubi voton për Korçën, apo një pronar restoranti për Pojanin.

Nuk e çuditën, sepse e dinin që manipulimi ishte i pritshëm…

Nuk u çuditën se pse përfaqësuesit e Shoqatave ilegale ishin akomoduar dy e nga dy në hotele të ndryshme të Durrësit që dy ditë para dhe monitoroheshin 24 orë në 24. Nuk u çuditën, sepse e dinin arsyen pse kishin ardhur apo përzgjedhur.

Askush nuk ka dyshime se pse morën guximin të manipulonin deri në këtë nivel, duke futur njerëz anonimë që përfaqësonin disa organizime imagjinare, që nuk kanë asnjë status juridik.

Por, ky ishte thjesht manipulimi i pritshëm, që pasoi me manipulime më të hapura. Sidomos te Komiteti Ekzekutiv. Aty ku pamjet filmike janë provat më të pakontestueshme, se si u numërua gabim, u paracaktua dhe “trukua” fituesi. Ato ishin thjesht një pjesë e telenovelës…

Më 7 shkurt, ndërkohë që në Durrës gatuhej çorba e manipulimit të zgjedhjeve, në zyrat e UEFA-s gatuhej dosja e Skënderbeut, me akuzën e manipulimeve.

Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë…

Nuk është rastësi…

Dikush brenda FSHF-së e kishte planifikuar me kujdes. Dy ndodhi të rëndësishme, me akuzë të njëjtë. Jo për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, por për t’i dhënë futbollit një ditë pushimi…

Për ta pagëzuar si “Dita Kombëtare e Manipulimit”…