Zgjedhjet në FSHF/ Shkëlqim Hajdari: Duka duhet të hapë krahun

Kryeinspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, por edhe iniciator i një ligji për pastërtinë e futbollit pak vite më parë ka komentuar në Report Tv garën për zgjedhjen e kreut të ri të FSHF.

Ai këshillon Dukën që pas 16 viteve në drejtimin e FSHF duhet që të hapë krahun për një drejtim të ri, ndërsa përsa i përket Bashkim Finos shprehet se është një njeri që nuk ka qenë asnjëherë i akuzuar nga asnjë krah politik.

Duke u ndalur te skandali i shoqatave të futbollit që kanë të drejtë vote, por nuk janë regjistruar në gjykata, ai thotë se “Ato nuk mund të votojnë. Por nuk kanë asnjë shans që të bëhen pjesë e votimit”. Të dy, si Duka dhe Fino, sipas tij duhet që të paraqesin platformat për ngritjen e futbollit shqiptar dhe goditjen e fenomeneve negative, si trukimet.

Intervista në Report Tv

Si po e shikoni garën mes Dukës dhe Finos?

Nuk e shoh këndshëm.

Pse?

Sepse kam një njohje miqësore me Dukën dhe një raport me Finon. Në Shqipëri është një çudi e madhe, kemi këto 25 vjet që kemi këtë klasë politike, po ashtu në konfederata apo shoqata, këtu bën pjesë edhe futbolli. Një mandat, dy, hap rrugën, sado të jesh i mençur, puna të konsumon, kjo është një e metë që penalizon Dukën, që është miku im. 16 vite në drejtim janë shumë….

Njerëzit kontribuojnë një ose dy mandate dhe hapin krahun dhe vijnë të tjerët. Fino është propozuar nga disa anëtarë, nuk e di se cfarë platforme do të japin, por një gjë do të them, Fino kur ka dorëzuar detyrën si kryeministër është ndarë denjësisht me shqiptarët.

E dytë Fino është politikan i cili nga asnjë krah nuk është përfolur për korrupsion, dhe që konsumon sport. Fino përfitoj nga rasti, ti deklarojë anëtarëve të Asamblesë që nuk do të pranojë dhe do të ndryshojë statusin, në një apo dy mandate kufizimin për kandidim. Fino duhet të garantojë që të ndryshojë afatin e zgjedhjes së presidentit, jo më shumë se dy mandate dhe nëse nuk e bën as ai nuk e meriton.

Janë disa shoqata që janë votuar në 4 vitet e para, a duhet të votojnë në 7 shkurt dhe a e komprometojnë zgjedhjen?

Ato nuk mund të votojnë, por se cfarë do të bëhet më pas është histori tjetër. Por nuk kanë asnjë shans që të bëhen pjesë e votimit.

Pse nuk u arrit që të godit korrupsioni në futboll?

Futbolli ka bërë hapa të rëndësishëm, goditja e fenomeneve, por gara e ndershme do vizione. Ne po vazhdojmë që ta drejtojmë ekipet si inspektorate dhe si prokuroria, disa ekipe janë private dhe disa me asete të shtetit. Të gjitha ekipet duhet të kthehen në ndërmarrje kapitaliste. Kjo është kryesorja. Asnjë kallëzim nuk ka për njerëz që janë përfolur për trukimet.

E penalizon Dukën ky moment? 

I uroj Dukës dhe Finos, që të bëjnë një garë të ndershme dhe në fund të konkurrojnë mbi bazën e platformave, aty Duka ka pjesën e fortë, por edhe atë që i faturohet. Fino do të shikohet për vizionin dhe në fund njëri nga dy personat t’i japë dorën tjetrit.

more recommended stories