VIDEO / Akuzon politikën për ndërhyrje, Duka e fillon fushatën nga LSI-ja

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si dhe stafi i tij, insistojnë prej javësh që politika të mos ndërhyjë në zgjedhjet e këtij institucioni dhe që të mos ketë ndikim të bashkive gjatë procesit. Por vetë ai ka preferuar që fushatën e tij dje ta nisë pikërisht duke kërkuar votën nga një përfaqësues i një subjekti politik.

Prej kohësh, Duka ka kërkuar mbështjen e LSI-së, ndërsa mendohet se për këtë çështje ka takuar pak kohë më parë edhe Ilir Metën. Ndaj vizita e tij e parë publike që pas hapjes së fushatës për president të FSHF-së ishte në një Bashki që drejtohet nga një kandidat i dalë nga kjo forcë. Duka ishte dje në Berat, ku është takuar me kryetarin e Bashkisë, Petrit Sinaj, duke i kërkuar votën, meqë është ai presidenti i klubit të futbollit të qytetit.

Duka nuk ka folur për mediat pas këtij takimi, por duket hapur se ka nisur fushatën për të ushtruar ndikimin e tij politik, në kërkim të votës për president, edhe pse deri pak ditë më parë pretendonte se do të qëndronte larg politikës. /vipsport.al/