Shtubina nuk “fshihet”: Shkojmë në Europë, e ardhmja është e garantuar

Ndriçim Shtubina është një afrim shumë cilësor në organikën e ekipit të Laçit. Gentian Mezani ka një “armë shtesë” në ekipin e tij, për të vazhduar “përrallën” e lënë në gjysmë në Superiore.

Në një intervistë për “Supersport”, Shtubina është shprehur se nuk e ndien presionin falë eksperiencës së tij, ndërsa nuk fshihet për objektivat e skuadrës.

Transferimi tek Laçi

“Tashmë ndihem mirë, sepse jam afruar edhe me shokët. Mendoj se do të bëjmë një punë të mirë por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kjo skuadër ka shumë grintë dhe dëshirë për të fituar. Besoj që e ka të ardhmen të garantuar dhe do të bëjmë një sezon të mirë”.

Gjendja në ekip

“Skuadra i ka sytë nga unë, sepse kam ardhur ta ndihmoj ekipin. Është pak siklet, por kam një moshë që nuk e ndjej presionin. E vetmja gjë që më duhet është të marr ngarkesën në stërvitje dhe ta marr gradualisht që mos të ngutem”.

Objektivat

“Europa? Besoj që po, sepse në Shqipëri diferencat janë të vogla dhe fiton ajo skuadër që ka më tepër dëshirë dhe që vrapon më shumë”, është shprehur Shtubina. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/