“Plas” te Bayern Munchen, James sherr me Rudyn në stërvitje

Sherr te Bayern Munchen. “Bild” raporton se gjatë seancës së sotme stërvitore, dy futbollistët e kampionëve në fuqi të Gjermanisë, James Rodriguez dhe Sebastian Rudy janë përfshirë në një konflikt mes tyre.

Shkak është bërë një ndërhyrje e gabuar e mesfushorit kolumbian ndaj atij gjerman, gjatë seancës stërvitore në prag të takimit kundër Werder Bremen.

Në moment gjaknxehtësie e sipër, Rudy i është hakërryer shokut të skuadrës për ndërhyrjen e gabuar në dëm të tij, teksa James gjithashtu nuk e ka pritur mirë reagimin e mesfushorit gjerman.

Në këtë moment është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë dhe më pas e trajnerit Heynckes për të shuar konfliktin. Pasi gjakrat u qetësuan, trajneri gjerman u ka kërkuar dy protagonistëve që të shkëmbejnë duart para pjesëtarëve të tjerë të skuadrës, në shenjë pajtimi.