Në Angli e bëjnë të kryer: Ikën Konte, e zëvendësojnë italianë ose një spanjoll

Mediat angleze tani janë të bindura plotësisht. Antonio Konte do t’i japë lamtumirën Çelsit në fund të këtij sezoni, pavarësisht asaj që mund të arrijë në drejtimin e skuadrës londineze. Sipas “Daily Mail”, klubi ka bërë gati listën e tre emrave më të mundshëm që pritet të zëvendësojnë teknikun i cili ka dalë shpesh hapur kundër klubit që nuk i siguroi përforcimet që i kishte premtuar.

Edhe pse ai ka kontratë edhe për dy sezone te blutë, mendohet se palët do të ndahen në mbyllje të këtij edicioni, pasi marrëveshja mes tyre tashmë është e pamundur të vazhdojë. Por pasardhësi i Kontes me shumë mundësi do të jetë italian.

Tre janë emrat kryesorë që klubi ka piketuar për ta zëvendësuar dhe dy prej tyre vijnë pikërisht nga Serie A. Kandidati kryesor mbetet Masimiliano Alegri, i cili ka drejtuar me sukses Milanin dhe Juventusin e duket gati për një eksperiencë larg Italisë. Ndërkohë, tërheq edhe emri i Mauricio Sarrit të Napolit, i cili ktheu në pak vite këtë skuadër në një superfuqi në Itali, por sidomos në një ekip që dhuron lojë argëtuese.

Dy italianët “kërcënohen” nga Luis Enrike, i cili ka mbetur pa punë që pas largimit nga Barcelona dhe duket se nuk do të vazhdojë të qëndrojë pushim edhe për shumë kohë. /vipsport.al/

more recommended stories