Menaxheri i Hysajt: Kartoni i tij nuk vlen 70 milionë euro

Në një kohë që në Shqipëri, por edhe në Itali, ka bërë bujë vlerësimi 70,5 milionë euro nga CIES i kartonit të mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, menaxheri i futbollistit duket se nuk e sheh kaq të vlefshëm lojtarin. Mario Xhiufredi ka insistuiar se kjo shifër është e ekzagjeruar, pavarësisht cilësive që ka Hysaj si futbollist.

“A i vlen 70 milionë euro? Largohet që në janar!”, tha ai duke qeshur në një intervistë të dhënë në një emision radiofonik. “Është vetëm një batutë, se ai do të qëndrojë te Napoli”, saktësoi më pas ai.

“Nuk di të them se sa vlen, por flitet për 70 milion euro, edhe pse unë nuk e besoj të jetë një vlerë e tillë. Nëse do të ishte kështu, De Laurentis ka gabuar që ka vendosur një klauzolë prej 50 milionë eurosh në kontratë. Elseidi është një mbrojtës krahu të djathtë dhe këto shifra kërkohen vetëm për sulmuesit”, shpjegoi Xhiufredi në intervistën e tij. /E.K./vipsport.al/