“Komshinjtë” mbajnë peng stadiumin më të shtrenjtë në botë, kërkojnë… dritën e diellit

“Kemi të drejtën e dritës natyrale të diellit”. Kjo kërkesë, sado e veçantë që të duket, po mban peng fillimin e punës për të ndërtuar atë që ishte parashikuar si stadiumi më i shtrenjtë në botë.

Bëhet fjalë për impiantin e ri të Çelsit, pasi Roman Abramoviç e cilëson të vjetëruar “Stamford Bridge” dhe ka plane konkrete për rindërtimin e tij. Prej kohësh ai ka aplikuar për miratimin e projektit të ri, një impiant ultramodern prej 60 mijë vendesh që do të zërë vendin e stadiumit ekzistues dhe që parashikohet të jetë stadiumi më i shtrenjtë i ndërtuar ndonjëherë.

Por gjithçka mbahet peng nga një familje në një pallat afër stadiumit ekzistues. Përfaqësuesit e saj janë paraqitur në një gjykatë në Londër me kërkesën e respektimit të “të drejtës së tyre për dritën”. Sipas tyre, impianti i ri do të jetë më i lartë se ai ekzistues dhe u bllokon dritën natyrale të diellit në banesë, ndaj nuk duhet ndërtuar.

Edhe pse Çelsi i ka ofruar një dëmshpërblim me 6 shifra për të tërhequr këtë kërkesë, banorët nuk heqin dorë nga “e drejta” e tyre dhe çështja ka përfunduar para gjykatës londineze që do të marrë vendim rreth kësaj teme. /E.K./vipsport.al/