Kaloi nga Partizani te Skënderbeu, Vila si Muzaka?!

Emiljano Vila do të jetë futbollist i Skënderbeut për pjesën e dytë të sezonit. Mesfushori kaloi nga Partizani te skuadra korçare, lajm i publikuar sot, ekskluzivisht nga “Vipsport.al”.

Vila ndërpreu marrëdhëniet me Partizanin, pasi mbeti jashtë listës së të grumbulluarëve për në Antalia, ndërsa së fundmi ka arritur akordin me Skënderbeun.

Por, a do të jetë Emiljano Vila si Gjergji Muzaka? Ndoshta! Ish-mesfushori i Partizanit, ashtu si ish-futbollisti i Tiranës u largua papritur nga skuadra e tij.

Kujtojmë se edhe Muzaka u largua nga Tirana papritur, si “i padobishëm” për bardheblutë, por shkëlqeu te Skënderbeu.

Muzaka, tashmë është kthyer në një element bazë për skemat e trajnerit Ilir Daja, duke qenë vendimtar edhe në disa ndeshje duke realizuar si në kampionat, ashtu edhe në Europa League.

Por, a do të jetë edhe Vila, shembulli i Muzakës? A do të kthehet edhe Vila në një fubollist për të cilin mund të pendohen të kuqtë? Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa Skënderbeu është e sigurt se ka forcuar radhët me një lojtar me eksperiencë, i cili sigurisht që do t’i shërbejë në një moment apo në tjetrin, trajnerit Ilir Daja.

Gjithashtu, Vila është një alternativë më shumë duke parë se Afrim Taku po vonohet për t’u rikthyer në skuadër nga SHBA-të (kaloi pushimet e fundvitit) dhe do të dojë më shumë kohë se të tjerët për të kapur formën. Largimi i Donjet Shkodrës la hapësirë në organikën e Skënderbeut dhe Vila do të jetë sërish një mundësi për të plotësuar këtë boshllëk. /Vipsport.al/